Sotiraq Filo dhe Sotiraq Stratobërdha janë dy rivalët e mbështetur nga socialistët dhe demokratët për zgjedhjet në Bashkinë e Korçës.

Më 3 nëntor, në këtë qytet do të zgjidhet kreu i ri i Bashkisë, pas dorëheqjes së ish-kryebashkiakut, Niko Peleshi. Socialistët kandidojnë zëvendësin e Peleshit, Sotiraq Filon, ndërsa demokratët mbështesin Sotiraq Stratobërdhën.

Por, si e shohin ata qytetin dhe çfarë premtojnë, ç’plane kanë për infrastrukturën, punësimin dhe çështjet e tjera.

“Rikonstruksioni i plotë i fasadave të këtij pazari, i shoqëruar edhe me rivitalizimin e tij. Pra, me vënien në efiçencë të objekteve tregtare që janë në këtë pazar. Ky projekt synon t’i kthejë qytetit një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, që është pazari i vjetër i Korçës, dhe projekti i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, është suvatimi i fasadave të pallateve. Është një premtim i yni, i vitit 2012, premtim që ne jemi të vendosur ta mbajmë”, tha Filo, kandidat i PS.

“Është emergjencë që t’i paraqes Këshillit Bashkiak projektin për uljen e taksave, në masën që ato kanë qenë para dy vjetësh, për t’iu ardhur në ndihmë si qytetarëve edhe biznesit. Është e nevojshme që të ndërhyhet, së pari për sinjalistikën për të rregulluar trafikun, së dyti për të bërë vijëzimet që do të rregullojnë parkimet. Do të rregullohet gjithashtu trafiku i makinave dhe këmbësorëve, një prioritet për ne. Zgjidhja e problemit të një pjese të të pastrehëve, që kanë 3 pallate prej 3 vjetësh, që përpara se të bëheshin zgjedhjet e para bashkiake, që janë të gatshëm e të përfunduar, e që nuk po ndahen për arsye krejt të çuditshme”, tha Stratobërdha, kandidat i PD.

“Ne kemi disa projekte konkrete, që synojnë të adresojnë problematikën që lidhet me komunitetin rom, duke filluar me ndërtimin e një qendre komunitare për ta, e që do të jetë pikërisht në vendin e njohur si “Sporti i Vogël” i qytetit. Ndërtimi i një tregu të ri të qytetit të Korçës tek ish-ambientet e Uzinës së Mekanikës Bujqësore. Do të vazhdojë mbështetja për tekste shkollore për fëmijët e komunitetit rom, projekt i suksesshëm që ne e zbatojmë prej disa vitesh”, tha Filo, kandidat i PS.

“Hapja e një zyre brenda Bashkisë, që do të merret me problemin e këtij komuniteti dhe personat që do të shërbejnë në këtë zyrë të jenë pjesëtarë të po të njëjtit komunitet, për t’i njohur sa më mirë dhe për të qenë sa më afër problematikave të tyre. Ky komunitet ka shumë probleme strehimi, por një pjesë e këtyre banorëve të tij nuk plotësojnë as kushtet ligjore për të marrë shtëpi, atëherë mund të mendohet që në një territor të Bashkisë ne të vendosim edhe disa shtëpi ambulante”, tha Stratobërdha, kandidat i PD.

“Do të vazhdojmë projektet që ne kemi në fushën e strehimit, siç është vendosja e truallit publik në pronësi të Bashkisë, në dispozicion të programeve apo projekteve të strehimit, që iniciohen nga ana e Entit të Banesave. Ne besojmë se nëpërmjet skemave të nxitjes së punësimit dhe të uljes së varfërisë, paralel me to do të vijë edhe zbutja e problemit të strehimit”, tha Filo, kandidat i PS.

“Pallatet që janë të gatshme do të cikloheshin shumë shpejt, pra do t’u jepeshin, do të vileshin paret që janë të mundura të vilen, ashtu siç nuk ndodh me disa dyqane që rrijnë kot, që mund të jepeshin me qira ose të shiteshin dhe të krijonin të ardhura. Por, këto para mund të ishin riinvestuar brenda 3 vjetësh dhe të ishin ndërtuar pallate të reja për të pastrehët”, tha Stratobërdha, kandidat i PD.

“Ne mendojmë se ka ardhur koha që skema e dhënies ekonomike të kthehet nga një skemë pasive në aktive, pra në vend që familjet përfituese të ndihmës ekonomike të qëndrojnë në pritje të marrjes së një ndihme minimale, ata duhet të angazhohen në punë”, tha Filo, kandidat i PS.

“Krahas me forumet dhe shoqatat e tjera, Bashkia mundet të krijojë kushte për kualifikimin apo parakualifikimin e një fuqie punëtore, të gatshme për t’i shërbyer prodhimit, në ato fusha ku ai mund të ecë. Duke pasur këtë fuqi punëtore të kualifikuar dhe një kulturë pune që, me mburrje themi se e kemi mjaft të mirë, atëherë mund t’u drejtohemi qoftë ambasadave apo vizitorëve të huaj e vendas, për t’iu mbushur mendjen se po të vijnë të prodhojnë në Korçë, rezultati apo suksesi i tyre do të jetë më i madh se në ndonjë vend tjetër”, tha Stratobërdha, kandidat i PD.

Dy kandidatët kanë mbështetjen e aleatëve në mazhorancë dhe opozitë, ndërkohë që në këtë qytet një rol të rëndësishëm ka edhe PBDNJ.

Top Channel