Në ndihmë të fëmijëve “down”

26/10/2013 01:15

“Gjëja që më ka bërë më tepër përshtypje këtë herë që unë kam ardhur në Tiranë, është që të gjithë njerëzit sapo doli njoftimi i këtij evenimenti, biletat janë shitur në një kohë rekord, për 2 orë. Më e bukura është se nuk janë shitur ndonjëherë bileta kaq të shtrenjta dhe njerëzit i kanë paguar këto 1000-3000 lekë të reja me një shpejtësi kaq të madhe, si e si që për këta njerëz të jepnin gjithçka që kishin dhe unë i falënderoj me të vërtet të gjithë”, u shpreh Saimir Pirgu, tenor.

Ishte ky komenti i tenorit Saimir Pirgu, pas koncertit të bamirësisë, të organizuar së bashku me Fondacionin “Down sindrome Albania”, në kuadër të muajit të sensibilizimit për sindromin “down”.

Pjesëmarrës në koncert ishin edhe Marjana Leka, Vikena Kamenica dhe Armando Lika, shoqëruar nga orkestra e TKOB, nën dirigjimin e maestros, Zhani Ciko.

Moment special i mbrëmjes, loja në piano e një vajze me sindromin “down”.

Në përfundim të koncertit, mesazhe u dhanë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, për një vazhdimësi të kontributit për personat me sindromin “down” dhe ata me aftësi të kufizuar në përgjithësi.

“Unë doja t’iu kërkoja që ky mision të vazhdojë deri ditën e hënë dhe ka diçka që ju mund të bëni. Secili prej jush mund të shkojë te burimet njerëzore ose në zyrën e financës së kompanisë ose organizatës ku punon, ose pranë bankës së vet, të bëjë një kontribut qoftë edhe 1%-2% të rrogës suaj në shërbim të kësaj kauze, ndaj të cilës të gjithë vullnetarët e tjerë i janë përkushtuar. Secili prej nesh është i pakufizuar në mundësinë që ka për të shërbyer dhe për të qenë i dobishëm. Duke parë të gjithë njërëzit jo influent që ka në këtë sallë, unë e di që ju keni mundësinë që në organizatat tuaja, në bizneset tuaja, në zyrat tuaja pranë qeverisë apo pranë çdo institucioni tjetër, ju keni mundësinë që të plotësoni kuotën prej 4% të të punësuarit për djemtë dhe vajzat e shkëlqyer, që janë të pakufizuar në aftësinë e tyre, dhe do të doja që ta konsideronit seriozisht, që përveç kontributit të së hënës, të siguroheshit që të punësonit njerëz të cilët kanë kaq shumë për t’i dhënë Shqipërisë dhe na dhanë kaq shumë emocione sot”, tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Top Channel