Panairi i Trashëgimisë e Artizanatit

28/09/2013 00:00

Kalldrëmet e pazarit 300-vjecar të Gjirokastrës janë mbuluar nga ngjyrat që ofron larmia e produkteve artizanale dhe zejtare përgjatë ditëve të Trashëgimisë.

Panairi i 7-të i Trashëgimisë dhe Artizanatit ka grumbulluar në Gjirokastër rreth 100 artizanë që përfaqësojnë 120 prodhues të artizanit në lloje të ndryshme të tij, duke përfshirë punimet tradicionale shtëpiake: (qëndisma, qilima) punime të  gurit, mozaikë, prodhime në kashtë, aplikacione në lloje të ndryshme të metalit, lëkurës dhe  drurit.

“Artizanë kanë ardhur më shumë se ç’prisnim. Një pjesë janë duke ardhur, pra numri do të shtohet. Pazari i Gjirokastrës është mbushur. Janë 100 artizanë që kanë ardhur fizikisht që përfaqësojnë rreth 130 prodhues të ndryshëm. Është ajo që prisnim dhe do të bëjmë që atë që ne po e mbjellim këtë Panair në Gjirokastër, dhe ky mund të bëhet një aset i fuqishëm për Gjirokastrën turistike, duke nisur që nga viti i ardhshëm kur mund të kombinohet ndoshta me Festivalin Folklorik Kombëtar. Imagjinoni sa mund t’u pëlqejë turistëve paradite të vizitojnë panairin, të blejnë suvenire, të njihen me traditat e artizanatit dhe pasditë në Kala të ndjekin shfaqjet”, thotë organizatori i panairit, Sadi Petrela.

Një grup grash nga Mitrovica e Kosovës të aktivizuara nën nismën e organizatës ‘Mundësia’ kanë sjellë në panair për herë të tretë punime tradicionale, veshje dimri dhe dekoracione e bizhuteri të krijuara me materiale të ricklueshme.

“Ne vijmë nga Mitrovica. Kryesisht kemi produkte të punuara me dorë, me grep dhe risi është puna me material riciklues, letër”, thotë Hamide Maxhuni, artizane nga Kosova.

Margarita Laçka vjen në panair nga Pogradeci. Ajo e ka kthyer tashmë në mënyrë jetese artizanatin. Punimet me lesh në tezgjah janë produkti që Margarita shet më së shumti në panaire.

“Është e trashëguar nga familja. Janë punime leshi, tezgjahu dhe ne e kemi të trashëguar këtë. Është hera e tretë që vij këtu në Gjirokastër dhe jam e kënaqur shumë sepse kam patur edhe shitje”, thotë Margarita.

Stenda e gjerë e Shkodrës përfaqësohet në panairin e Artizanatit me produkte të realizuara prej rreth 50 artizanësh. Ato janë prodhime në pëlhurë, kostume tradicionale, pikturë, gdhendje druri, lëkurë, qëndistari dhe forma të artizanatit të gjelbërt.

Ne jemi krenarë, thotë Zef Gjini, që mbajmë peshën e prodhimit të 50% të produkteve artizanale në rang vendi. Vetëm këtë herë artizanët e Shkodrës kanë sjellë në panair 22 produkte të reja. Megjithatë Gjini tërheq vëmendjen për më shumë mbështetje prej shtetit për këtë sektor duke sjellë në vëmendje qindra artizanë që aktivizohen brenda banesave të tyre si pjesë e tregut të zi të punës pa asnjë mbështetje për t’u rritur e promovuar.

“Këtë vit përfaqësohemi me prodhime të ndryshme, punime të argjendit, druri, tezgjah, lëkure, kostume kombëtare etj. Shoqata jonë vjen në këtë panair pak ditë pasi në Shkodër u bë një panair krejt i vecantë me moton ‘Një artizan, një produkt i ri’ dhe kemi paraqitur 22 produkte të reja në Shkodër dhe njëkohësisht edhe këtu në Gjirokastër”, thotë Zef Gjini, kryetar i Artizanëve të Shqipërisë.

Qendra e Artizanatit në Gjirokastër është duke punuar për porosi të klientëve edhe përgjatë ditëve të panairit. E vendosur në një mjedis të saporestauruar, banesën “Babameto” kjo qendër me rreth 8 artizanë prodhon shtroje dhe qilima me materiale të riciklueshme në tezgjah.

Përvec ekspozimit të produkteve artizanale përgjatë tri ditëve të Panairit pritet  të përurohen 2 ekspozita, është planifikuar të zhvillohet panairi i gatimeve tradicionale gjirokastrite, do të mbahen 2 tryeza të rrumbullakëta për sipërmarrjen e bizneseve të vogla të artizanatit dhe aplikimin e riciklimit në artizanat, si dhe do të përurohen dy dokumentarë kushtuar artizanatit dhe panaireve ndër vite.

Top Channel