Skllevërit e Katar 2022

26/09/2013 15:20

Katari ka nisur prej muajsh punën për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për pritjen e Kupës së Botës 2022. Por përtej imazhit të jashtëm të një shteti të pasur, një hetim i “The Guardian” flet për abuzimet e tmerrshme që bëhen me punëtorët emigrantë në shtetin e vogël arab.

Sipas gazetës britanike dhjetra emigrantë nepalezë kanë gjetur vdekjen në javët e fundit, ndërsa shumë të tjerë janë nën trajtimin çnjerëzor të bosave të tyre.

“The Guardian” thotë se nëse vazhdohet me këto ritme të humbjeve të jetës së punonjësve, infrastruktura e Botërorit 2022 do t’u marrë jetën të paktën 4 mijë emigrantëve.

Nepalezët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve në Katar dhe sipas dokumenteve të siguruara nga ambasada e këtij vendi në Doha, 44 emigrantë kanë vdekur nga 4 qershori deri më 8 gusht.

Pjesa më e madhe e viktimave kanë pësuar atak kardiak, ndërsa nuk mungojnë rastet e vdekjes nga aksidentet në punë. Sipas “The Guardian” abuzimi me emigrantët është në përmasa të mëdha. Puna e rëndë me orar të tejzgjatur, që shpesh shkon edhe 20 orë, si dhe kushtet ku jetojnë punonjësit për infrastrukturën e botërorit, janë skandaloze.

Ka punonjës që thonë se prej muajsh nuk marrin rrogën. Kjo, sipas “The Guardian” është vendosur nga autoritetet për t’i mbajtur peng ata që të mos largohen. Po të njëjtët dëshmitarë pohojnë se ka raste të shumta kur autoritetet u konfiskojnë pashaportat dhe refuzojnë t’u japin dokumente vendase identifikuese duke i futur ata tek statusi i emigrantëve ilegalë.

Skllavëria shkon përtej. Disa punonjës pohojnë se u është ndaluar pirja e ujit në stacionet falas në shkretëtirë duke i detyruar që ta blejnë atë, ndërsa  mësohet se rreth 30 punonjës nepalezë kanë gjetur strehë në ambasadën e tyre në Doha për t’i shpëtuar trajtimit brutal në punë.

Kushtet për emigrantët e angazhuar në ndërtimin e infrastrukturës së botërorit 2022 janë të tmerrshme gjithandej, por më shqetësuese situata paraqitet në qytetin Lusail. “The Guardian” thotë se punonjësit flenë 12 deri në 14 vetë në dhoma të përshtatëshme për 3-4 persona dhe kushtet higjenike aty janë të tmerrshme.

Dëshmitarët tregojnë se shpesh janë lënë pa ushqim duke punuar me stomakun bosh edhe 24 orë në 24.

“Kur u ankova tek manaxheri im për mungesën e ushqimit ai më goditi dhe më përzuri nga kampi i punonjësve pa më paguar, ndaj u detyrova të lypja ushqim tek punonjësit e tjerë që njihja”, thotë Ram Kumar Mahara, jë emigrant 27-vjeçar nepalez.

Komiteti Suprem i FIFA-s, organizmi që mbikqyr punimet për organizimin e botërorit, lidhur me akuzat e ngritura nga gazeta britanike tha se ato janë shqetësuese dhe njoftoi se për këtë autoritetet vendase kanë nisur një hetim.

Lidhur me shpenzimet për organizimin e botërorit, përllogaritjet shkojnë deri në 100 miliard dollarë shpenzime. Deri më tani ka nisur puna për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse, si rrugë, hekurudha dhe hotele për të pritur tifozët.

Katari është vendi që ka më shumë emigrantë në raport me popullsinë vendase. Mbi 90 përqind e krahut të punës në vend janë të huaj, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë shtetasit nepalezë, rreth 40 përqind e tyre.

Top Channel