Sfida e drejtësisë së munguar

11/09/2013 14:20

Sokol HAZIZAJ – Monteskie, kur pohonte se “njerëzimi ndikohet jo vetëm nga klima dhe feja, por dhe nga mënyra e qeverisjes dhe faktorëve të tjerë të cilët mundësojnë të ekzistojnë karaktere të ndryshme shoqërish në të njëjtën kohë”, pranonte në mënyrë të hapur ekzistencën e nevojën për t’u qeverisur në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, në kundërshtim me çdo lloj fryme njëanshmërie dhe sjellje pa standarde sociale dhe morale jashtë kohës. Pra, në thelb, ai kërkonte krijimin e një drejtësie sociale që njihte, mbarte dhe pranonte lidhjen shkak-pasojë. Vetëm kaq mjafton që të konstatosh dhe identifikosh lehtë raportin ekuivalent të qeverisjes arbitrare dhe nivelit të drejtësisë në vendin tonë gjithashtu.

Ajo çka munguar deri më sot në këto vite demokraci, pa e marrë këtë si aksiomë apo absolute gjithashtu, qëndron në faktin se të gjitha qeveritë dhe mënyrat e qeverisjes nuk kanë kuptuar si dhe sa duhet, ose nuk kanë dashur të kuptojnë se mënyra cilësore e administrimit të pushteteve mund dhe duhet të përputhë në të njëjtën dimension tre elementë: ngjashmërinë, përputhja në kohë dhe në vend, shkakun me pasojën.

Përballë këtij koncepti, të gjitha qeveritë e derisotme nuk kanë mundur, megjithëse kanë pasur kohën e nevojshme të përqasnin dëshirën qytetare për demokraci me vendosjen e një drejtësie sociale, ligjore, të cilat do të ngjashmëronin me demokracitë dhe drejtësitë europiane në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe pasojave të tyre. Sot nuk ka rëndësi se cilët janë faktorët pengues që në mënyrë të përmbledhur ndodhën për shkak të sjelljes politike të Kryeministrit në detyrë apo qeverisë së tij, ajo çka është absolutisht e vërtetë sot, konstatohet në faktin se sistemi i qeverisjes dhe së drejtës, vitet e fundit shpalosi të njëjtën sjellje arbitrare dhe njëqelizore, e cila jo vetëm që nuk mundi të krijojë hapësira normale frymëmarrjeje për drejtësinë, por e çoi atë drejt nivelit zero. Mjafton të përmendësh në mënyrë identifikuese funksionimin e pjesëve të drejtësisë, duke filluar nga gjykata deri në zyrat e gjendjes gjyqësore, kur palët në proces ligjor dhe punonjësit në detyrë u atrofizuan dhe dembeluan deri në atë shkallë sa frymën e mëngjesit e merrnin nga klima qeverisëse.

Për shkakun se arena social-politike krijoi shtratin e mungesës së përdorimit të standardeve jo moderne, arbitrare dhe të njëanshme duke sjellë si pasojë monopolizimin e të gjitha “tregjeve” nga pushteti dhe të drejtësisë gjithashtu, në drejtësi kjo u përshfaq në mosfunksionimin ashtu si duhet të ndërthurjes së veprimtarisë institucionale të organeve që japin drejtësi, në marrëdhënien midis organit të akuzës dhe gjykatës. Nuk kanë qenë të rastit kur në mënyrë të vazhdueshme, për shkak të një veprimtarie deri inekzistente të prokurorisë, krimi ndaj njeriut mori përmasa deri në kufijtë e ekzistencës së tij, ose e kundërta, në vendet e vuajtjes së dënimit janë mbajtur njerëz në mënyrë të padrejtë.

Nga Ministria e Drejtësisë ose nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në pamje të parë të duket sikur ngjashmërisht janë bërë përpjekje të gjithanshme në drejtësi për të rritur efikasitetin e saj, për të qenë ajo transparente dhe me standard europian, por nga ana tjetër, në asnjë përpjekje të saj nuk është bërë e mundur që ky sistem të jetë efikas, i shpejtë dhe i pakorruptuar. Mjafton që ende dhe pas njëzet e kusur vitesh, shumë probleme të pronësisë dhe politikave penale janë në fokus ditor të traumatizimit të drejtësisë, duke sjellë pasoja të pariparueshme për shoqërinë. Të gjitha iniciativat ligjore që janë ndërmarrë deri më sot, pa hyrë në detaje, në vend që të zgjidhnin problemin e kanë ngatërruar atë në njëfarë feje sa nuk ka zot t’i dalësh në krye. Mjafton të përmendësh ndryshimet e shpeshta të kodeve materiale dhe procedurale e konstaton lehtë se jo vetëm që nuk ka ekzistuar dëshira e mirë për të formatuar disa kode tërësorë të plotë dhe të komentarizuar në mënyrë të saktë, por janë thelluar ndryshime pas ndryshimesh, të cilat e kanë vështirësuar dhe politikën penale në përgjithësi, si dhe kanë ashpërsuar, duke vështirësuar punën e tyre në luftën kundër krimit. E gjitha kjo ka ndodhur për një arsye të thjeshtë, e cila përmblidhet në dëshirën për t’iu larguar problemit të kohës sa më shumë. Është po kaq e thjeshtë të konstatosh se sot, kur pritet rritje e përgjegjësisë së institucioneve për shkak të ndryshimit të qeverisë, institucione të tilla si Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë mbyllur dyert dhe dritaret për qytetarët e thjeshtë dhe janë duke punuar se për çfarë nuk dihet, vetëm të shpresosh në togfjalëshin “Ruajna Zot”. Kjo nuk është gjë tjetër veçse shprehje e një aktiviteti korruptiv.

Korrupsioni është e kundërta e dimensionit të ngjashmërisë, e cila të çon në mënyrë të saktë drejt origjinales dhe origjinalitetit. Një drejtësi e korruptuar si kjo e sotmja, në mënyrë të vazhdueshme ka trajtuar dhe trajton problemin jo si produkt të shoqërisë ku jetojmë, apo qeverisjes politike jotransparente dhe arbitrare, por si problem individual apo të deportuar. Është e frikshme kur pranohet se më tepër se 12.5 për qind e territorit shqiptar është e mbjellë me lëndë narkotike. Kjo shifër tregon më shumë se çka vjen nga analizat e shifrave që vijnë nga të dhënat e proceseve gjyqësore penale dhe numri i madh i të dënuarve në vendin tonë. Së paku për rezultat të këtij vëzhgimi rezulton se më tepër se dymbëdhjetë për qind e popullsisë duhej të ndodhej nën trysninë e dënimit penal. Por mund të ndodhë kjo? E pamundur, jo vetëm për arsyen e “projekteve famëmëdha” të Ministrisë së Drejtësisë për hapjen e burgjeve të reja, por nuk kanë funksionuar si dhe sa duhet institucionet përgjegjëse të këtij vendi, pra mënyra e qeverisjes. Kjo e fundit nuk ka mundur të shohë fenomenin dhe shkaqet e ndodhisë së tij, duke mos zbuluar origjinën, kohën, vendin ku ndodh, shkakun dhe pasojën për të ndërmarrë një grup masash jo vetëm penale por dhe social-ekonomike gjithashtu. Është qesharake të pranosh deklarimin e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi gjendjen faktike të përhapjes së lëndës narkotike, sikur të mos kenë qenë ai apo ata në drejtimin e këtyre punëve.

Korrupsioni është e kundërta e dimensionit të përputhjes, që duhet domosdoshmërisht të ndodhë në të drejtën dhe në dhënien e drejtësisë. Ajo çka qytetari ka dashur dhe kërkon nga drejtësia vjen për shkak të mënyrës së organizimit joefektiv të saj, ndryshe nga standardi që ka parë ai kur ka shkuar në vendet përreth nesh, ato europiane. Në vendet ku së paku një vendim gjykate as që diskutohet se është i zbatueshëm, në vendet ku qytetarit nuk i intereson se organi që ekzekuton vendimin e gjykatës është privat apo publik, sepse ka bindjen se një vendim është i zbatueshëm domosdoshmërisht, i bindur se me shtetin, zotin dhe qiellin nuk bëhet shaka, në vendet ku nuk njihet fakti se ka gjyqtar të mirë apo të këqij, apo shtyhet gjyqi se janë të konsumuara trupat gjyqësore nga gjyqet e mëparshme. Të gjitha kanë ndodhur dhe ndodhin për shkakun e thjeshtë se përveç përpjekjeve mjerane për të vendosur çmimin e karrierës, në këtë vend nuk ka ndodhur asnjëherë të përputhen gjërat me atë çka ofron drejtësia europiane në këtë fushë.

Korrupsioni është e kundërta e sjelljes identifikuese të lidhjes historike midis shkakut dhe pasojës, për arsyen sepse mënyra e qeverisjes nuk mundi të dijë lidhjen midis plagës dhe dhimbjes prej saj. Në drejtësi, më tepër kjo është e evidentueshme, sepse nuk ka funksionuar si e tillë dhe prandaj ajo nuk ka mundur dhe sot të koordinojë dhe kompensojë në mënyrë të padukshme pjesët përbërëse të saj. Në asnjë vend të botës, ndoshta përveç atyre diktatoriale nuk mund dhe nuk ka se si një organ si ai i hetimit apo akuzës në Shqipëri pret të vijë kallëzimi nga shtetasi apo një institucion, kur sheh që pasoja është më e rëndë edhe kur nuk është e parashikuar në të drejtat materiale. Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk mund dhe nuk ka se si që probleme të tilla si pronësia, nënshtetësia, kombësia apo edhe pavarësia dhe koncepte të tjera kushtetuese gjithashtu, të shihen prej organeve të drejtësisë si pjesore, të ndara duke u mjaftuar vetëm me arsyetimin që nuk është në detyrat funksionale të tyre.

Është i lirë të mendojë çdokush se zymtësia e mësipërme e mënyrës së të menduarit është e padrejtë, e pazgjidhshme, e padobishme. Në të kundërt mendoj dhe shpresoj se do të ndodhë më pas, pa qenë nihilistë për atë çka ndodhur. Mjafton që të vihen në përdorim maturia, kujdesi, iniciativa, ekonomia dhe aftësia për të dalluar”. Gjithashtu, përveç këtyre, duhet të ekzistojë një marrëveshje universale. Në këtë kuptim për Ramën si kryeministër, çka se nuk po flitet sa dhe si duhet më për korrupsionin prej tij, detyrat në fushën e së drejtës dhe drejtësisë së paanshme në të ardhmen e afërt janë të vështira, por të kapërcyeshme, të cilat përmblidhen në këto dimensione: 1- Bërja efektive e sistemit të së drejtës ose dhënies së drejtësisë duke filluar nga pranimi i kërkesës së shtetasit deri në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, pra ndryshime procedurale të tjera duke synuar formatimin e kodeve të reja procedurale dhe materiale; 2- Restaurimi dhe rikonturimi i sistemit gjyqësor, pra mënyra e organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, duke vendosur përfundimisht kriterin e vlerësimit dhe emërimit të gjyqtarëve si pasojë të çmimit të karrierës së tyre. Nuk është e guximshme të pohoj se duhet ndryshuar koncepti dhe praktika e Shkollës së Magjistraturës ashtu siç duhet të jetë ajo e parashikuar në nenin 2 të saj, si shkollë e formimit profesional, të magjistratëve gjyqtarë dhe prokurorë. Është më se e domosdoshme rikonceptimi i administrimit të pushtetit gjyqësor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur dihet se ky organ dhe sot e kësaj dite nuk ka një informacion bazë për ecurinë e çdo procesi gjyqësor nga fillimi deri në fund për të bërë vlerësimin si duhet të çmimit të karrierës së gjyqtarëve, por bën vlerësime si dhe emërime siç ma do dhe ku ma do; 3- Krijimi dhe funksionimi i bankës së sigurimit të të dhënave mbi pronësinë, si drejtësi e munguar deri tashmë; 4- Krijimi i një regjistri kombëtar të shërbimit noterial dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, duke mos e lënë atë në mëshirë të dëshirave politike dhe klienteliste.

Sigurimi i transparencës ndaj publikut në të gjithë dimensionet e lartpërmendura garanton jo vetëm fitoren e betejës kundër korrupsionit por në fund të fundit, atë çka qytetari kërkon, drejtësinë e munguar.

Para do kohësh, me një kolegun tim u shprehëm për mënyrën paqësore të kalimit të pushtetit në vitin 2005, çka se sot është gjetur një mënyrë tjetër po kaq paqësore e kalimit duke pasur në qeveri pesë anëtar nga qeverisja e mëparshme, fakt i cili më bën optimist të besoj te shprehja latine se “magjia e së shkuarës është pikërisht moskthimi tek ajo”.

Marre nga gazeta e perditshme “Shqip”

Top Channel