Lufta tregtare Shqipëri-Kosovë

30/08/2013 23:00

Autoritetet doganore të Kosovës dhe të Shqipërisë janë takuar në pikën kufitare mes dy vendeve të Vermicës, për të diskutuar dhe gjetur një zgjidhje për problemet e hapura në tregtinë e përbashkët.

Prej disa ditësh, tregtarë nga të dyja vendet kanë protestuar për pengesa proceduriale dhe pagesa shtesë në import-eksportin e mallrave, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërkohë që, pas takimit drejtuesit e doganave dolën edhe në një deklaratë rreth asaj, që ata e quajtën marrëveshje.

“Të themelojmë dy grupe pune në nivel të oficerëve ekspertë doganorë, të cilët do të identifikojnë fushat, ku ne si drejtues të dy administratave doganore, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, mund të ndikojmë më shumë në thjeshtësimin e procedurave dhe në eliminimin e dokumentacioneve të biznesit për çdoganimin e mallit. Taksa prej 40 eurosh nuk është taksë e vendosur prej doganës, pasi nuk është në kompetencën e doganës për të vendosur taksë. Është Republika e Kosovës, që nxjerr ligj dhe e vendos atë. Taksa prej 40 eurosh, që ka qarkulluar nëpër media, është taksë e vendosur prej pronarit të terminalit, gjë që ekziston prej 13 vitesh”, tha Gëzim Demushi, zv/drejtor i doganave, Kosovë.

Kryetari i doganës së Kukësit, Arben Meshi, tha se synimi i vetëm është ai i krijimit të lehtësive, me qëllim rritjen e tregtisë mes dy vendeve.

“Jemi gjithmonë në favor të lehtësimit të procedurave doganore, në të gjitha rastet kur ligji e parashikon dhe e lejon që t’u vijmë në ndihmë bizneseve, në mënyrë që të gjitha procedurat doganore të kryhen në një kohë sa më të shpejtë”, tha Arben Meshi, kryetar i doganës së Kukësit.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dogana e Kosovës ka rritur me 30% importin e mallrave nga Shqipëria, ndërkohë që eksportet nga Kosova drejt Shqipërisë janë rritur me 11% më shumë se gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar.

Top Channel