Nishani firmos: SHQUP-i, seli e PD

15/08/2013 19:30

Burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se Presidenti Republikës, në kapacitetet edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë invetarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it.

Ky dekret ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes pasditen e të enjtes. Sikurse edhe vendimi Këshillit të Ministrave për kalimin  e SHQUP-it, në godinë të PD-s, që nuk u bë asnjëherë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave edhe dekreteti i presidentit, deri këto momente ka pësuar të njëjtin fat.

Zyra e shtypit e Presidencës, kontaktuar nga “Top-Channel” për të pasur version zyrtar dhe detajet e dekretit, të vetmen përgjigje që dha ishte “keni telefonuar jashtë orarit zyrtar”.

Lëshimi i këtij dekreti nga Presidenti Republikës, Bujar Nishani e përfshinë atë  në një shkelje të pastër të ligjit.

Ja se çfarë thotë ligji 8671 datë 26.10.2000, i ndryshuar me ligjin 9194 datë 19.2.2004 kreu dy pika 3: Komandanti përgjithshëm i Forcave të Armatosura,  Miraton planin e vendosjes dhe perhapjes se Forcave të Armatosura në kohë paqeje.

Por, përpara se presidenti Nishani ta ndërmarrë këtë hap ai duhet të ketë mbi tavolinë shkresën me firmën e shefit të shtabit të përgjithshëm, i cili bën kërkesën për çdo tjetërsim të pronave të ushtrisë.

Mimi Kodheli, ministre e ardhshme e Mbrojtjes deklaroi se gjatë një bisede telefonike me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Gjunkshin, ai ka pohuar se nuk ka firmosuar asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtesën e SHQUP-it.

Ky qëndrim i gjeneralit përforcohet edhe nga shkresa që ai  ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes të cilës ai kundërshon kalimin e SHQUP-it për t’u përdorur si seli e PD-së.

Pavarësisht vendimit të Këshllit të Ministrave, firmave të Arben Imamit dhe Presidenit Nishani, mjafton firma e munguar e shefit të shtabit të përgjithshëm që i gjithë ky operacion me SHQUP-in të jetë i paligjshëm.

Rama: Akt i babëzisë së një të marri

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, në një reagim të menjëhershëm pas publikimit në “Top-Channel” të provave eksluzive të zbuluara nga televizoni ynë, për firmosjen e dekretit të tjetërsimit të SHQUP-it në selinë e PD-së, nga presidenti Nishani, e konsideroi këtë veprim si “aktin e babëzisë së një të marri”.

“Ç’turp: Partia humbëse që ende qeveris një vend të NATO-s, grabit Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë për ta bërë seli të vetën! Dhe kundër Ligjit!”, komentoi Rama.

“Çdo ditë e qeverisë pas zgjedhjeve tregon sa të merituara kanë qene 1 milionë shuplakat që i dha Populli në 23 qershor pushtetit plaçkites! 8 vjet duke gënjyer, vjedhur, vrarë, u ndëshkuan si askush me keq prej ’92shit e po ikin duke e ngrënë përdite turpin me babëzinë e të marrit!”, shtoi Rama në “Twitter”.

Megjithatë, kryeministri i ardhshëm i vendit, u tregua i kujdesshëm, të paktën për momentin, për të mos përfshirë institucionin e Presidencës në kritikat e tij drejtuar qeverisë.

Top Channel