“Ballkoni” shkon në Venecia

30/07/2013 00:00

Filmi “Ballkoni” i regjisores Lendita Zeqiraj do të shfaqet premierë botërore në festivalin më të vjetër dhe më të madh të filmit në botë, Festivalin e Venecias.

Por, pasi kaloi sfidën e përzgjedhjes, filmi që e mbështet subjektin mbi mentalitetin e shoqërisë kosovare, duhet të kalojë tani të tjera vështirësi. Regjisorja Zeqiraj shprehet se tani u duhet të sigurojnë mjetet financiare për pjesëmarrje në festival.

“Për momentin kemi përkrahje vetëm nga zoti Blerim Kuçi. Presim përkrahje edhe nga Ministria e Kulturës pasi ka shpenzime të mëdha për festivalin”, shprehet regjisorja.

Në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, pjesëmarrja e “Ballkonit” vlerësohet si kurorëzim i përpjekjeve 2-vjeçare për promovimin e filmave kosovarë. Drejtori i kësaj qendre, Fatos Berisha, shprehet në komunikatë se është bërë një hap i madh në zhvillimin e industrisë së filmit të Kosovës.

Me interpretimin e Arben Bajraktaraj, Sevdai Radogoshi, Osman Ahmeti në rolet kryesore, filmi “Ballkoni” do të jetë në konkurrim mes 13 filmave të tjerë në programin zyrtar “Horizonte”, ku përfshihen trendet e reja të kinematografisë botërore.

“Një fëmijë që kacavirret në ballkon bëhet shkas i mbledhjes së shumë njerëzve poshtë pallatit dhe situata shkon deri në absurd”, tregon Zeqiraj.

Edicioni i 70 i Festivalit të Venecias do të mbahet nga 28 gushti deri më 7 shtator 2013 dhe Kosova do të jetë për herë të parë në konkurrencë zyrtare në programin garues të këtij festivali prestigjioz.

Top Channel