Kukësi rikthehet triumfator

26/07/2013 00:00

Disa dhjetëra tifozë kuksianë kanë pritur në aeroportin “Nënë Tereza” skuadrën e vendlindjes së tyre e cila kaloi 2 ture në debutimin europian.

Protagonisti i këtij kualifikimi historik ishte padyshim portieri Halili i cili përvec shumë rasteve gjatë ndeshjes, grushtoi dhe një 11-metërsh në pjesën e dytë.

“Ndjehem krenar për atë që bëra në Bosnje. Nuk do ta quaja veten hero, por do të uroja të gjithë çunat për këtë arritje kaq të madhe”, tha portieri Halili.

“Emocionet ishin të mëdha, presioni shumë i madh, megjithatë e thashë, e kam thënë edhe herë të tjera, që zemra, shpirti dhe karakteri i këtyre djemve duhet vlerësuar maksimalisht”, deklaroi trajneri i Kukësit, Armando Cungu.

Oreksi i kuksianëve është shtuar tashmë dhe drejtuesit e skuadrës kërkojnë të tentojnë sërish kualifikimin për më tej në Europa League.

“Besojmë  tek objektivi i tretë i rëndësishëm, kalimi e turit të tretë dhe atëherë do të jetë super historike për Kukësin dhe gjithë Shqipërinë”, tha presidenti i skuadrës, Safet Gjici.

“Mbaj mend që kemi bërë një miqësore kur kemi qenë me Teutën në Antalia. Nuk është një skuadër e frikshme, që të thuash e pamundur. Është shumë e vështirë dhe ne do të bëjmë të pamundurën, pse jo, besojmë edhe tek kualifikimi”, tha drejtori teknik i skuadrës, Sulejman Starova.

“Tashmë jemi në turin e tretë dhe përballë kemi një ekip edhe më të fortë, megjithatë e rëndësishme për ne është që të bëjmë një futboll të bukur, pse jo edhe ta provojmë kualifikimin”, tha trajneri Cungu.

Kjo është hera e parë pas 26 vjetësh që një skuadër shqiptare kalon dy turne në Europë. Më parë këtë sukses e kishte arritur Flamurtari i madh i viteve ‘80 kur mundi Partizanin e Beogradit dhe u eleminua nga Bracelona.

Kundërshtari i radhës i skuadrës kuksiane do të jetë Metalurg Dontesk, një ekip me emër ky në futbollin ukrainas. Ndeshja e parë do të luhet më 1 gusht në Shqipëri, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në Ukrainë.

Top Channel