Ndërsa vëmendja pas zgjedhjeve është fokusuar tek qeveria e re dhe aktualitete të tjera politike, për materialet elektorale që kanë tejmbushur fasadat e qytetit nuk po mendon askush.

Të vetmit që po mendojnë për pastrimin e kryeqytetit prej tyre janë një grup studentësh të Arkitekturës, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të Meeting of Design Students.

“Vendosëm që gjithë atë formim e ndjeshmëri që kemi nga profesioni ta formulonim në një aktivitet. Pra, ta kthenim atë situatë të vështirë virtualisht në favorin tonë. Materialet e atyre posterave të shëmtuar janë kthyer në material pune për ne”, thotë studentja Anisa Lloja.

Të zgjuar me një ide të re, këta të rinj kanë menduar të ridimensionojnë koston e këtyre letrave tashmë pa asnjë vlerë.

“Ajo që na bënte përshtypje ishte kostoja e fushatës dhe materiali i çuar dëm. Menduam që gjithë ky material i çuar dëm mund të na shërbente ne si studentë arkitekture, për të përcjellë idenë e riciklimit dhe pastrimit të qytetit”, thotë studentja tjetër Jona Dajçumi.

Imazhet e lodhshme për qytetarët do të shndërrohen në objekte artistike dhe mesazhe për vetë partitë politike. Me këto objekte studentët do të organizojnë një ekspozitë artistike.

“Kemi disa ide fillestare që konsistojnë në krijimin e një mozaiku, pankarte ose një objekti që do të japë një mesazh të caktuar. Ideja e parë ishte për një shprehje drejtuar politikës, për ata që janë larguar dhe që na kanë lënë pas gjithë këto postera”, thotë më tej studenti Edlir Burrja.

Top Channel