SHBA, gjykata ndëshkon “Apple”

11/07/2013 00:00

Kompania “Apple” komplotoi me shtëpitë botuese më të mëdha për të
fiksuar çmimin e librave elektronikë, ka vendosur gjykata e Nju Jorkut.

Gjyqtarja e Manhatanit, Denise Cote deklaroi se prodhuesi i iPad komplotoi për të kufizuar tregtinë. Por zëdhënësi i kompanisë, Tom Neumayr deklaroi se “Apple” do ta apelojë vendimin e gjykatës dhe do të luftojë ndaj “deklaratave false”.

Pesë shtëpi botuese, që fillimisht ishin radhitur si të pandehura përkrah “mollës”, kanë arritur ta sheshojnë mosmarrëveshjen. Ndërkohë, gjyqtarja urdhëroi një seancë të re për të përcaktuar masat që do të vendosen ndaj “Apple”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi se komploti ishte projektuar për të sfiduar shitësin e librave online Amazon, që gëzon dominimin absolut në tregun e librave elektronikë.

Shtëpia e njohur botuese “Penguin” e zgjidhi problemin duke vendosur 75 milionë dollarë, ndërsa “Hachette”, “HarperCollins” dhe “Simon & Schuster” krijuan një fond prej 69 milionë dollarësh për të rimbursuar klientët. Edhe shtëpia tjetër, “Macmillan” bëri të njëjtën gjë duke vendosur 26 milionë USD.

“Paditësit kanë treguar se botuesit kishin komplotuar me njëri-tjetrin për të eleminuar konkurrencën e çmimeve të shitjeve me pakicë, në mënyrë që të rrisnin çmimet e librave elektronikë. Dhe “Apple” këtu luajti një rol kryesor në lehtësimin dhe ekzekutimin e komplotit. Pa “Apple” ky komplot nuk do të kishte pasur sukses, sikurse ndodhi në pranverë të vitit 2010”, deklaroi gjyqtarja Denise Cote.

Top Channel