Japoni, edhe mafia ka gazetën e vet

11/07/2013 00:00

Një buletin ku i lihet vend edhe poezisë, por ku mbizotërojnë
editorialet e bosëve të vjetër me këshilla për eksponentët e rinj të
botës së krimit.

Është diçka mes një organi zyrtar dhe një gazete të mirëfilltë informative, që shpërndahet nga Yamaguchi-gumi, fraksioni më i madh i mafias japoneze që në gjuhën lokale njihet me termin Jakuza.

Gazeta mban emrin “Yamaguchi-gumi Shinpo” (buletin), numri i fundit i të cilës është shpërndarë në mënyrë të fshehtë më 5 korrik nga anëtarët e grupit.

Bëhej fjalë për 8 faqe në total, që hapeshin me editorialin e kumbarit Kenichi Shinoda. 71-vjeçari, “kumicho” (bos) i fraksionit, u jep sugjerime të rinjve për vlerat dhe disiplinën që duhet të ndjekin me skrupuj për të pasur “sukses”.

Por bosi plak nuk ngurron të flasë edhe për kohët tashmë të vështira që po kalon Jakuza, pasi aktivitetet kriminale nuk po prodhojnë shumë të ardhura, ndoshta edhe për shkak të krizës financiare.

Për këtë arsye, “familja” e madhe e Shinodës ka pësuar një rënie të anëtarëve të saj. Bosi në fjalë rreth një vit më parë përfundoi dënimin prej 13 vitesh burg, pasi në vitet ’70 vrau me një “katana” (shpatë e samurajit) një bos rival.

Aktivitetet kryesore të mafias japoneze janë: lojrat ilegale të fatit, prostitucioni, fajdet, zhvatjet dhe operacione të tjera që kryhen përmes kompanive që shërbejnë si mbulesë për aferat kriminale.

Top Channel