Ftohjen e raporteve mes partnerëve të koalicionit qeveritar, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e sheh si një skenar të përgatitur mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kreut të BDI-së Ali Ahmeti, për t’i ikur përgjegjësisë për politikat e tyre antiperëndimore dhe për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Është një film i vjetër, që vazhdon prej vitit 2008 se ata nuk duhen. Vetëm duan të tregojnë para shqiptarëve, se nuk pajtohen me politikën e VMRO-së dhe të arsyetohen para bashkësisë ndërkombëtare, se tashmë është fundi dhe është e qartë që BDI, pikë për pikë, e mban përgjegjësinë e kësaj politike antiperëndimore dhe antishqiptare të VMRO-së, sepse ata janë në pushtet bashkarisht, gati që 5 vjet. Nuk jep efekt kjo. I vetmi efekt mund të jetë parapërgatitja e tyre për zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Thaçi u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe tha se partia e tij nuk është e interesuar për t’u bërë pjesë e qeverisë aktuale. Ai komentoi edhe sulmin diplomatik të kreut të BDI-së, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të emrit, të Maqedonisë.
“Mendoj se nuk varet prej Ahmetit, ai vetëm luan një rol të një kapiteni, i cili qëndron në një anije që fundoset, gjithë pasagjërët i ka në panik dhe u thotë se vjen ndihma. Nuk ka ndihmë. Anija, qeveria e Maqedonisë, fundoset dhe bashkë me të fundoset edhe BDI-ja, edhe Ahmeti”, theksoi Thaçi.
Këto komente, Thaçi i bëri pas një takimi me ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, z. Poll Volers, me të cilin ka biseduar për zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë.
Top Channel