Elektro-shtëpiake inteligjente

10/07/2013 00:00

Inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë po përhapet edhe mes pajisjeve elektro-shtëpiake, megjithëse ndodhet ende në një fazë embrionale, të paktën në këndvështrimin komercial.

Së fundmi “Sharp” në Japoni prezantoi një seri pajisjesh elektro-shtëpiake të afta të komunikojnë me njeriun…seriozisht.

Sigurisht nuk janë dhe nuk pritej që të ishin perfekte, por gjithësesi mbeten një pikënisje e mirë dhe një bazë e fortë në përpjekjet për të realizuar një linjë produktesh elektro-shtëpiake të afta të komunikojnë me njeriun.

Produkti i parë inteligjent është një pastrues pluhurash, që është hedhur në shitje vetëm për tregun japonez për të testuar konsumatorin, ndërsa më vonë mund të pasohet nga një frigorifer, sobë, lavatriçe etj.

Të gjitha këto objekte do të jenë në gjendje që jo vetëm të kryejnë funksionin e tyre primar, atë për të cilin janë ndërtuar, por “edhe do flasin”. Psh frigoriferi do njoftojë nëse brenda tij ka ushqime që po u afrohet data e skadencës, lavatriçja do na tregojë kur mungon zbutësi i rrobave etj. Dhe vec kësaj, këto pajisje do të jenë në gjendje që të marrin e të zbatojnë komandat e njeriut, mbi bazën e njohjes së zërit.

Por pse kjo nismë e “Sharp”? Shumë e cilësojnë të tepruar dhe të destinuar për të dështuar, ndërsa të tjerë shkojnë akoma më tej duke e quajtur fanta-shkencë ndërtimin e pajisjeve elektro-shtëpiake inteligjente. Fantashkencë? Edhe telefonat celularë kështu ishin në vitet ’60”.  

Top Channel