Nëpunës të Bashkisë së Athinës dhe pjesëtarë të policisë bashkiake protestojnë para Ministrisë së Reformave Administrative, pasi qeveria greke – nën presionin e përfaqësuesve të kreditorëve të huaj – ka vendosur që 12,500 nëpunës të Administratës Civile të futen në të ashtuquajturën “skemë të lëvizshmërisë”.
Kjo nënkupton transferimin e tyre të përkohshëm, në vende bosh të administratës, brenda 6 deri 9 muajve dhe pushimin e tyre nga puna.
“Ne fjetëm dje si nëpunës të Bashkisë dhe u zgjuam sot të pushuar nga puna. Kjo është logjika e Trojkës dhe qeverisë që tani e tutje, e vdekjes së papritur të të gjitha grupeve të nëpunësve të administratës”, tha Themis Balasopoulos, Unioni i Administratës Lokale.
Bëhet fjalë për 5000 mësues, 3500 nëpunës të policisë bashkiake, 2500 nëpunës të Ministrisë së Arsimit dhe 1500 të tjerë nga të gjithë ministritë e vendit.
Kështu plotësohet kushti i ekspertëve të Trojkës për 12,500 pushime nga puna, brenda këtij viti, ndërsa këtij numri do t’i shtohen edhe nëpunësit e kanalit televiziv ERT, që nuk do të punësohen në organizmin e ri, që ende nuk është krijuar në Greqi, duke plotësuar numrin prej 15,000 pushimesh nga puna, që i është vënë Greqisë si kusht, deri në fund të vitit 2014, ndërsa ministri i Reformave Administrative ka deklaruar se këto do të jenë pushimet e fundit nga puna.
“Nuk ekziston asnjë çështje e rritjes së numrit të pushimeve nga puna, përveç 15,000 vetëve, për të cilët qeveria greke ka dhënë fjalën te kreditorët”, është shprehur Qirjakos Mitsotakis, ministër i Reformave Administrative.
Athina ka bërë përpjekje të mëdha për të marrë këstin e radhës prej 8,1 miliardë euro, një prej “injeksioneve” të fundit nga paketa e ndihmës prej 240 miliardë euro, që ajo po merr prej 2010-s nga BE, FMN dhe BQE.
Por, ajo ka hasur vështirësi dhe është vonuar në reduktimin e nëpunësve të administratës, pasi numri i të papunëve në vend ka shkuar në shifra rekord, ekonomia ndodhet për të 6-in vit në recesion dhe niveli i jetesës ka rënë ndjeshëm.
Presioni ndaj qeverisë është shtuar edhe pas deklaratës së fundit të komisionerit europian për ekonominë, Olli Rehn, se nëse reformat strukturore në administratë vazhdojnë me këtë ritëm, ndihma do t’i jepet Greqisë me këste më të vogla, duke rrezikuar shlyerjen e disa obligacioneve prej 2,2 milardë euro, që Greqia duhet të paguajë në muajin gusht.
Top Channel