Moskë, rrugë me emrin Hugo Chavez

01/07/2013 16:15

Një rrugë në periferinë e Moskës do të marrë emrin e ish-presidentit venezuelian, Hugo Chavez, informoi të hënën agjensia e lajmeve “RIA-Novosti”.

Një aleat i ngushtë i Kremlinit gjatë viteve në të cilat udhëhoqi vendin më të pasur të Amerikës së Jugut me naftë dhe gaz natyror (1998-2013), Chavez do të nderohet në këtë mënyrë në një ceremoni ku do të asistojnë figurat më të larta të të dyja shteteve.

Aktualisht, pasardhësi i Chavez, Nicolas Maduro, ndodhet në një vizitë shtetërore në Moskë dhe përurimi do të realizohet gjatë së martës.

Në nderim të revolucionarit Chavez po mbahet gjithashtu një garë hipizmi, e quajtur “Gara e Presidentit”.

Përveç Maduros, i pranishëm në kryeqytetin rus është edhe presidenti i Iranit në largim, Mahmoud Ahmadinejad dhe disa lidera të tjerë të shteteve eksportuese të gazit natyror, të grumbulluar në një forum ekonomik mbi çështjet e energjisë.

Top Channel