Një kurë e re për leuçeminë

20/06/2013 18:20

I quajtur “Ibrutinib”, një mjekim i ri mund të përbëjë një risi në mënyrën e trajtimit të të sëmurëve me leuçemi.

Mjekimi ka dhënë rezultate shumë të mira në fazën e tij eksperimentale dhe sipas “Journal of Medicine”, mund të hidhet së shpejti në treg për të prekurit nga sëmundja vdekjeprurëse.

Për më tepër, “Ibrutinib”-i do të ishte në gjendje që të shmangte nevojën e përdorimit të kimioterapisë, që për të prekurit nga leuçemia është veçanërisht e rëndë, rraskapitëse dhe me efekte të shumta anësore.

Ilaçi është në gjendje që të shënjestrojë vetë qelizat kancerogjene, diçka të cilën kimioterapia nuk është në gjendje ta bëjë.

Megjithatë, edhe “Ibrutinib”-i ka kufizimet e tij. E para, ai ka efekt vetëm për llojin e leuçemisë kronike limfocitike, e cila është një prej mënyrave më të përhapura të zhvillimit të kësaj sëmundjeve, por jo e vetmja.

Gjithashtu, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera në testime, ky ilaç nuk është ende në gjendje që të kurojë tërësisht pacientin, por vetëm kontribuon në një zgjatje të ndjeshme të jetës.

Top Channel