Politikani britanik: Jam baba i një alieni

19/06/2013 00:00

Që politikanët gënjejnë kjo dihet, por që gënjeshtra të shkojë deri në atë pikë sa të fajësosh lidhjen jashtëmartesore me një aliene për shkatërrimin e martesës, kjo është e tepërt.

Kështu mund të tingëllojë për shumë prej nesh, por jo për Simon Parkes, një politikan i lartë lokal i laburistëve në këshillin e qytetit Whitby në Angli. Parkes, 53 vjec, thotë se martesa e tij është duke marrë fund për shkak të lidhjes që ai ka me një jashtëtokësore që ai e quan Cat Queen me të cilën madje ka edhe një fëmijë që e ka quajtur Zarka.

Parkes thotë se takohet katër herë në vit me të dashurën e tij speciale. Takimi, këmbëngul ai, bëhët në një anije hapësinore aliene e cila vërtitet në orbitë rreth tokës. Anija është edhe foleza e tyre e dashurisë.

Simon është i martuar (me një tokësore) dhe baba i tre fëmijëve (njerëzorë). Ai shton se gruaja e tij u nxeh në momentet e para kur mësoi për lidhjen, por këmbëngul se ai vetë nuk po bën asgjë të gabuar sepse e dashura e tij vjen nga një planet tjetër.

“Kur e zbuloi gruaja ime u nxeh me të drejtë, por kjo nuk është në nivelet njerëzore dhe unë nuk shoh asgjë gabim në këtë mes”, thotë Simon.

Për “të vërtetuar” se nuk po trillon asgjë, Simon fton të gjithë që t’i bashkohen një ditë, ta shoqërojnë në gjithë aktivitetin e tij për 24 orë për të kuptuar se nuk “është i cmendur”.

Top Channel