Nënë Nazmia është 85 vjeç. Ajo është gjyshja e shumë nipërve dhe mbesave.

Vitet që bart mbi supe e kanë mësuar të kujdeset jo vetëm për veten dhe familjen, por edhe për të gjithë miqtë e saj që i kanë kërkuar ndihmë.

Kujtimet e para për përdorimin e bimëve mjekësore i ka nga fëmijëria. Kjo është trashëgimia që i ka lënë gjyshja e saj shumë kohë më parë.

“Rrija te gjyshja sepse isha fëmija e parë. Më mbante afër dhe bënte lloj-lloj ilaçesh”, tregon Nazmia.

Nuk kanë munguar as rastet kur ka dalë vetë të mbledhë bimët që i duhen.
Është ende një zonjë shumë e mbajtur dhe ka një memorie shumë të mirë: “Kur ke dhimbje kockash, merren tre lule mullage, tre kokrra hudhër, tre qepë, 100 gramë rozmarinë dhe përzihen në 1 litër ujë. Pasi e pi për një muaj, nuk ke më dhimbje kockash.”

Ka pasur raste që njohuritë për bimët mjekësore i janë dashur asaj vetë. Doni të dini disa nga recetat e gjyshes së “Pasdites”? Ja cilat janë disa prej tyre: “Për gripin, çaj mali; për dhimbje barku, nenexhik; për dhimbje koke, sherebeli; për kollën, dafina; për një gjumë të qetë, kamomili.”

Thotë se njeriu mëson gjithmonë. Ajo nuk mjaftohet me njohuritë që ka, por gjithmonë kërkon të dijë më shumë rreth bimëve mjekësore.

Top Channel