Një adoleshent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbijetoi sulmit të një peshkaqeni, duke dyluftuar fizikisht me të.

15-vjeçari Garret Sebesta është vendosur në qendër të përgëzimeve kombëtare, kur tregoi një kurajo të pabesueshme, në duelin për jetë a vdekje të ndodhur gjatë së hënës.

I riu ishte duke notuar me disa miq në bregdetin e Teksasit, kur peshkaqeni e kafshoi nga pas në këmbë.

Duke ruajtur gjakftohtësinë, Sebesta u kthye dhe nisi të qëllonte peshkaqenin në trup.

Reagimi i të riut bëri që kafsha të shkëpuste kafshimin nga këmba dhe t’i kapte dorën me nofullat e tij të fuqishme, por Garret vazhdoi luftën e tij, duke e qëlluar me dorën tjetër dhe duke i futur gishtat në sy.


I riu transportohet me urgjence ne spital nepermjet nje helikopteri mjekesor

I përballur me këtë reagim të vendosur, peshkaqeni vendosi të mos rrezikonte më tej dhe e la të lirë prenë, përpara se të kapej pak më pas nga një peshkarexhë e zonës.

Ndërkohë, miqtë e adoleshentit arritën të lajmëronin në kohë Rojen Bregdetare, e cila nxorri 15-vjeçarin e plagosur nga uji dhe e dërgoi me urgjencë me një helikopter në një spital, ku u kurua për plagët e thella në gjymtyrë dhe humbjen e gjakut.


Peshkaqeni, i kapur pak pas sulmit

Pavarësisht kësaj përballje të tmerrshme, Sebesta do të mbijetojë dhe do të rikuperojë funksionalitetin e plotë të këmbës dhe dorës së dëmtuar, diçka që nuk mund të thuhet për peshkaqenin, i cili do të shitet tashmë në një rrjet restorantesh, për t’u konsumuar prej të gjithë atyre që do të kenë dëshirë të provojnë shijen e mishngrënësit.

Top Channel