Arabia Saudite kundër WhatsApp

17/06/2013 00:00

Arabia Saudite ka paralajmëruar mbylljen e WhatsApp nëse kompania amerikane nuk u bindet rregullave të vendosura nga autoriteti i kontrollit të telekomunikacionit.

Rregullat kërkojnë që kompania të ndërtojë servera të brendshëm vetëm për Arabinë Saudite në mënyrë që autoritetet të kenë kontroll të plotë për mesazhet që shpërndahen nëpërmjet këtij shërbimi, në të kundërt ky shërbim do të bllokohet në vend para nisjes së Muajit të Ramazanit, më 9 korrik.

Kërkesa e autoritetit të telekomunikacionit justifikohet me vështirësitë për të kontrolluar trafikun e platformave të tilla. Por në të vërtetë, analistë ndërkombëtarë thonë se pas motivacioneve burokratike fshihet përpjekja e Riadit për të kontrolluar komunikimin në kohë tensionesh shoqërore.

Sipas tyre, Riadi i trembet protestave të mundshme, të ngjashme me ato që po ndodhin në Turqi, ku rol të madh në organizimin e tyre luajtën rrjetet sociale dhe shërbime të tjera komunikimi.

Në fillim të qershorit, viktimë e rregullave strike të Arabisë Saudite u bë Viber, ndërkohë që Skype iu përmbajt ligjeve vendase.

Top Channel