Të jesh dentist nuk është e lehtë, sidomos kur pacientët janë grabitqarë shumë të rrezikshëm si luanë apo hipopotamë, por Dr. Gerhard Steenkamp ka durim dhe di si të sillet me ta.

Afrikano-jugori është një nga dentistët-veterinerë më të aftë në botë dhe është aq i kërkuar sa ka bërë operacione në Kinë, Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Afrikë, pra pothuajse në çdo kontinent.

Steenkamp realizon rreth 500 operacione në vit dhe është shumë i lumtur me profesionin e tij: “Kam punuar me shumë lloje kafshësh. Kam operuar kafshë të përmasave të vogla si lakuriqët e natës e deri tek elefantët 6-tonësh. Hipopotamët dhe elefantët janë më të rrezikshmit. Duhet shumë punë t’i lëvizësh dhe ka rrezik të zgjohen nga narkoza shumë të nevrikosur.”

Babai i dy fëmijëve e pranon se ka qenë me fat që ka shmangur dëmtimet që mund të vijnë nga një grabitqar që po vuan nga dhëmbët: “Më të rrezikuarit janë ata që i bëjnë anestezinë, por kemi pasur shumë raste kur ngrihen në këmbë në mes të operacionit dhe aty duhet të mbash distancën.”

Top Channel