Dalai Lama, lideri shpirtëror tibetian që jeton në mërgim, nuk e ka
përjashtuar mundësinë që, të paktën në teori, një grua të zërë vendin e
tij.

Sipas tij, bota sot ndodhet në një krizë morale dhe ka nevojë për mirëkuptim, që do të thotë për një gjykim cilësor femëror.

“Nëse rrethanat janë të tilla që një murgeshë duket më e dobishme, atëherë Dalai Lama i ardhshëm do të jetë një grua”, ka deklaruar fituesi i çmimit Nobël për Paqen.

Këtë deklaratë ai e ka bërë në një bashkëbisedim me gazetarët në Australi, ku është distancuar nga aktet e vetëdjegies së murgjve.

Lama ka lënë të kuptohet se kjo formë proteste ndaj dominimit të Kinës në Tibet është vetëm një sakrificë e kotë.

Murgjit kanë rregulla të rrepta përsa i përket marrëdhënieve me femrat dhe jetojnë të izoluar në tempujt e tyre.

Megjithatë, vetë Dalai Lama tha në një intervistë vitin e kaluar se dikur ishte tunduar nga një femër pasi kishte konsumuar pak verë.

Top Channel