Korea e Veriut po bën progres “të rëndësishëm” në riaktivizimin e impianteve bërthamore, vlerësojnë Shtetet e Bashkuara.
Riaktivizimi i reaktorit Yongbyon mund të jetë vetëm dy muaj larg, ka thënë administrata amerikane, por ka paqartësi për llojin e karburantit që do t’i japë fuqi reaktorit.
Korea e Veriut njoftoi në prill se planifikonte riaktivizimin e tij, pavarësisht tensioneve të larta që ekzistonin në gadishull.
Reaktori ishte mbyllur në korrik të vitit 2007 si pjesë e një marrëveshjeje çarmatimi në këmbim të ndihmave. Kulla ftohëse në këtë impiant u shkatërrua më vonë, por marrëveshja e çarmatimit hyri në ngërç.
Vendimi i Penianit për ta riaktivizuar vjen pas testit të tretë bërthamor të mbajtur më 12 shkurt, që çoi në zgjerimin e sanksioneve të OKB-së.
Informacioni i fundit vjen nga faqja e internetit “38 North”, që është pjesë e institutit amerikano-korean në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimit, pamjet e fundit satelitore tregonin se Korea e Veriut ka përfunduar pjesën më të madhe të riparimit të sistemit të ftohjes, e nevojshme për rindezjen dhe funksionimin e reaktorit.
Kulla e ftohjes, që u shkatërrua, nuk është riparuar por në vend të saj një sistem i dytë ftohjeje është vënë në punë. Puna ka vazhduar edhe me impiantin e fikur.
Grumbuj materialesh ndërtimi dukeshin qartë përmes satelitit në impiant, ku një sistem që mund të jetë për qarkullimin e ujit të reaktorit po gërmohej.
Me t’u bërë operativ, reaktori mund të prodhojë rreth 6 kilogramë plutonium në vit, që mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.
Top Channel