Clint Eastwood ka mbushur 83 vjeç, por pensioni për legjendën e kinemasë amerikane duket ende larg.

Aktori, ikonë e filmave western të Sergio Leone dhe prej vitesh një regjisor i madh, ka festuar duke thënë se do të ishte bukur të arrinte moshën 105-vjeçare dhe të vazhdonte të bënte filma të rinj.

Lindur në San Françisko 31 majin e vitit 1930, pas vitesh të kaluara në ushtri dhe një periudhe të shkurtër në televizion, arriti suksesin me rolin e parë prej protagonisti me “Për një grusht dollarë”.

Ky ishte filmi i parë i Trilogjisë së Dollarëve, që vazhdoi me “Për pak dollarë më shumë” dhe “I miri, i keqi dhe i shëmtuari”. “Clint më pëlqen sepse ka vetëm dy shprehje: një me cigare dhe një pa cigare”, ka thënë regjisori Leone për të.

Eksperienca e parë në rolin e regjisorit erdhi në vitin 1971 me filmin “Play misty for me” që pasoi pastaj me sagën e filmave policorë me interpretimin e “Dirty Harry”, siç njihej ndryshe inspektori rebel Harry Callaghan.

Në karrierën e tij të madhe, Eastwood ka interpretuar 42 filma, ka drejtuar 32, me 10 nominime dhe 4 çmime Oscar të fituara.

Top Channel