Londër, inkriminohet vrasësi i ushtarit

30/05/2013 00:00

Autoritetet britanike kanë ngritur akuzën ndaj personit të dyshuar për vrasjen e ushtarit Lee Rigby javën e kaluar në jug-lindje të Londrës, ka bërë të ditur policia lokale.

Michael Adebowale, 22 vjeç nga Grinuiç, pritet të dalë në gjykatë gjatë së enjtes. Ndërsa personi i dytë, Michael Adebolajo, 28 vjeç, vazhdon të mbahet nën arrest në spitalin e Londrës.

Ushtari Drummer Lee Rigby u vra të mërkurën e javës së kaluar në mënyrë barbare nga dy personat e sipërpërmendur, në mes të rrugës.

Personi i parë, që doli nga spitali ditën e martë, është akuzuar gjithashtu për armëmbajtje pa leje. Sue Hemming, drejtuese e Shërbimit Hetimor Mbretëror deklaroi:

“Prokurorët kanë punuar me hetuesit e Komandës së anti-terrorizmit që prej vrasjes së Rigby më 22 maj. Menjëherë pas daljes nga spitali të Michael Adebowale, ne kemi autorizuar policinë që ta akuzojë atë për vrasjen e ushtarakut”.

“Gjithashtu, ne kemi autorizuar policinë që ta akuzojë personin në fjalë për armëmbajtje, veprim ky që bie në kundërshtim me ligjin”, ka vijuar zyrtarja.

Sipas saj, ka prova të mjaftueshme për të proçesuar Adebowale dhe është në interesin e publikut që të ndodhë kështu. Organi hetimor deklaroi se vazhdon të këshillojë policinë për të dyshuarit e tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve mbi vrasjen e Rigby.

Autopsia e kryer mbi trupin e tij tregonte se ushtari kishte vdekur si pasojë e shumë plagëve të shkaktuara nga armët e ftohta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA