Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur Shkodrën për të mbyllur ciklin e prezantimeve të kandidatëve për deputetë të Partisë Demorkatike, në të gjithë Shqipërinë.
Dhe, kur kryeministri e përshkroi mitingun si më madhështorin në historinë elektorale të Shkodrës, kjo zgjedhje u duk se nuk ishte rastësore.
“Mbarë sytë e shqiptarëve janë të drejtuar këtu në Shkodër, në zemrën e demokracisë. Këtu feston besimi i tyre i madh. Te fitorja, te liria, tek e ardhmja”, tha Berisha.
Nga Shkodra, qyteti bastion i demokratëve, kryeministri Berisha kishte edhe një mesazh elektoral për kreun e opozitës, Edi Rama, dhe për politikën e tij, të cilën e cilëson si politikën e mohimit dhe bllokimit.
“Zoti Rama, Shqipërinë ti e sheh me syzet e zeza të etërve të tu, që kërkon t’i rilindësh. Me Vaterlo i përmbysëm, Vaterlo do të të japim edhe ty më 23 qershor”, tha Berisha.
Në zgjedhjet e fundit, demokratët fituan 7 nga 11 mandate. Por, duke ftuar shqiptarët të votojnë numrin 44, kryeministri kërkoi edhe më shumë nga shkodranët.
“Qytetarë të Shkodrës. Ju jeni të thirrur sot nga ora e historisë. Mandati i tretë duhet të jetë vepra juaj. Shkodër, Shqipëria dhe Europa pret nga ju 8 mandate për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë. Përpara për integrimin e Shqipërisë në Europë. Fitore!”, përfundoi Berisha.
Top Channel