“Vetëm Zoti Fal”, filmi i regjisorit danez Nicolas Winding Refn, është pritur me vërshëllima dhe pak duartrokitje në natën e radhës të Festivalit të Kanës.

Edhe pse me një yll si Ryan Gosling, filmi nuk ka marrë ovacionin e pritur, ndoshta për shkak të dhunës që e karakterizon, të ngjashme me atë të përdorur nga Quentin Tarantino.

Filmi tregon historinë e Julian (Gosling), anëtar i një familjeje të fuqishme kriminale, që drejton një klub boksi tailandez në Bangkok, për të mbuluar trafikun e drogës drejt Londrës.

Kur vëllai i tij i madh Billy vret në mënyrë brutale një prostitutë të mitur, autoritetet i drejtohen një polici në pension, Chang, që vepron me metoda pak ortodokse dhe që i merr gjërat shumë personale.

Ndëshkimi për Billin është vdekja. Ndërkohë, për të rekuperuar trupin e të riut në Bangkok mbërrin Crystal (Kristin Scott Thomas), e ëma e dy djemve që drejton organizatën e fuqishme kriminale.

Gruaja, e lënduar nga humbja, ka një objektiv të vetëm: të projektojë dhe konsumojë një hakmarrje të pamëshirshme ndaj atyre që lyen duart me gjakun e të birit. Ish-agjenti Chang është i pari në listë.

Top Channel