Suksesi i grupit “2Pigeons”

22/05/2013 00:00

Vazhdon turneu i “2Pigeons”, grupit muzikor të përbërë nga Chiara Castello dhe Kole Laca. Muzikanti shqiptar, i larguar nga atdheu në moshën 20-vjeçare dhe instrumentistja dhe këngëtarja italo-amerikane po bëhën të njohur për publikun dhe kritikën.

Kanë sjellë një frymë të re në tablonë muzikore italiane, me sonoritete origjinale duke krijuar një lloj zhanri ende të papërcaktuar mirë, një lloj muzike pop elektronike ku ndihen ndikime të muzikës së viteve ’90. Elementë të të shkuarës dhe të të ardhmes përzjehen si në instrumentet që përdorin, ashtu edhe në videot e tyre.

Grupi i përbërë prej dy elementësh ka sjellë në skenat italiane edhe traditën muzikore shqiptare. Kënga “Turtulleshë” me një arranxhim të ri të muzikantit Kolë Laca, është kënduar mahnitshëm nga Chiara Castello, megjithëse ajo nuk e njeh shqipen.

Pas suksesit të albumit me titull “Retronika”, ata kanë fituar disa tituj me projektet e tyre muzikore, të karakterizuar nga origjinaliteti dhe pasuria e arranxhimeve.

“2Pigeons”, ose dy pëllumbat si do të tingëllonte në shqip, sjellin pamje e vizione futuriste, katapultojnë dëgjuesin në një botë që pluskon diku në kohë të pacaktuara, ku e ardhmja dhe e shkuara përzjehen.

Top Channel