Teksa thrilleri i ri i Dan Brown, “Inferno”, ka dalë në shitje,
vlerësimet e para e cilësojnë atë si një libër të lexueshëm e të
rrjedhshëm, por pa asnjë shans për të fituar ndonjë çmim letrar.

“Edhe pse e dija që ishte një vrimë në ujë që nga fillimi në fund, nuk mund të mos e lexoja”, shkruan kritikja An Wilson në të përditshmen britanike “Daily Mail”.

“Inferno” është novela e katërt e Brown që ka si protagonist profesorin e simbologjisë në Universitetin e Harvardit, Robert Langdon.

Historia bën fjalë për Langdon që përpiqet të ndalojë përhapjen e një virusi vdekjeprurës. Historia fillon me profesorin që zgjohet në një spital italian dhe nuk i kujtohet përse ndodhej atje.

Me një vrasës profesionist që i qepet pas, Langdon lëviz në rrugët dhe rrugicat e Firences për të zbërthyer disa kode që përkojnë me vargjet e poetit italian Dante dhe “Ferrit” të tij klasik.

“Mënyra sesi është shkruar libri është shumë e ngjashme me atë të “The Da Vinci Code”, vetëm se është një rrugë më e gjatë”, shprehet më tej kritikja Wilson, e cila shton:

“Dan Brown thotë se ka depërtuar thellë në historinë filozofike, teologjike dhe letrare për këtë libër, por nëse ai e ka bërë këtë, atëherë nuk ka lënë asnjë gjurmë të këtyre kërkimeve të thella në “Inferno”. Janë të gjitha dokrra, por të paktën janë dokrra argëtuese”.

Top Channel