Rrjedhje amoniaku në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar

10/05/2013 00:00

Avari në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Astronautët në bordin e këtij stacioni, vunë re rrjedhje amoniaku në atë që njihet si pjesa e Shteteve të Bashkuara të këtij stacioni.

Për rusët bëhet fjalë për një anomali të rëndë, ndërsa NASA qetëson duke deklaruar se bëhet fjalë për një avari teknike të vogël që nuk rrezikon jetën e personelit të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar.

Vladimir Soloviov, kreu i sektorit rus të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, cituar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax, thotë se bëhet fjalë për një anomali mjaft të rëndë që rrezikon gjithë stacionin, ndërsa për Alexiei Krasnov, nga agjencia ruse e hapësirës, Roskosmos rrjedhja e amoniakut e verifikuar në sektorin amerikan të stacionit nuk është kritike.

Nga ana e saj, agjencia amerikane e hapësirës, NASA thotë se rrjedhja e amoniakut nuk përbën asnjë rrezik si për personelin, ashtu edhe për vetë stacionin hapësinor. Agjencia konfirmoi më pas se është se është planifikuar për të shtunën dalja e dy astronautëve amerikanë, Chriss Cassidy dhe Thomas Marshburn, për të verifikuar rrjedhjen dhe për të rregulluar defektin.

Ata do të përcaktojnë dëmin e shkaktuar, ndërsa NASA konfirmon se një rrjedhje e tillë është verifikuar edhe më 1 nëntor të vitit të kaluar që u izolua nga astronautët e saj brenda pak orëve.

Amoniaku  përdoret nga radiatorët që shërbejnë për ftohjen e sistemeve elektrike që transmetojnë energjinë e përfituar nga panelet diellore drejt pjesëve të tjera të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Cdo panel diellor ka sistemin e tij të pavarur ftohës.

Top Channel