Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, deklaroi se asnjë zgjidhje politike nuk mund të përfshirë presidentin Bashar al-Assad në të ardhmen e Sirisë.
Komenti i Kerryt, gjatë një vizite zyrtare këtë të enjte në Jordani, fitoi edhe më shumë vëmendje pasi ishte hera e parë që ai shprehte qëndrimin e qartë të Uashingtonit, pas një takimit shumë të rëndësishëm në Moskë, më parë gjatë javës.
Rusia është një prej aleateve më të ngushta të regjimit të al-Assad dhe në takimin Kerry-Putin u ra dakord mbajtja e një konference shumëpalëshe ndëkombëtare në të ardhmen e afërt për gjetjen e një zgjidhje për çështjen siriane.
Njëkohësisht, SHBA dhe Rusia deklaruan së bashku se zgjidhja e vetme në Siri mund të jetë “politike”, por pa saktësuar se çfarë nënkuptonte diçka e tillë.
Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, deklarata e Kerryt në Aman mund të sinjalizojë se tashmë edhe Moska ka rënë dakord në arritjen e një kompromisi, që do të largojë nga skena politike presidentin aktual të Sirisë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Jordanisë, Nasser Judeh, i parashtroi homologut të tij amerikan problemet e mëdha që ka shkaktuar lufta civile siriane për shtetet fqinje me Sirinë.
Ai tha se me qindra mijëra sirianë janë zhvendosur në vend, duke krijuar një barrë të rëndë për ekonominë dhe shërbimin shëndetësor jordanez.
Aktualisht, Nasser theksoi se “duke llogaritur refugjatët e luftës, popullsia e përgjithshme e Jordanisë përbëhet nga 10% sirianë”.
Top Channel