“Foodstagramming”, problem psikologjik

09/05/2013 00:00

Njerëzit që shpesh i bëjnë foto gjërave që hanë apo gatuajnë dhe i postojnë më pas online, mund të jenë të sëmurë. Sipas një eksperteje, “foodstagramming” është një modë shumë e përhapur dhe disa restorante nuk lejojnë klientët t’i bëjnë foto ushqimit pasi shqetësojnë klientët e tjerë që kanë ardhur thjesht për të ngrënë.

Dr. Valerie Taylor, psikiatre nga Universiteti i Torontos, thekson se dokumentimi i çdo vakti ngrënieje jo vetëm që është i bezdisshëm, por mund të jetë shenjë e një problemi më të madh.

“Kam pasur klientë që janë të fiksuar t’i bëjnë me dije botës virtuale se çfarë do të hanë apo kur do të hanë. Është shqetësuese kur sheh kaq shumë foto ushqimesh në rrjetet sociale”, theksoi Taylor për ‘The Huffington Post’.

Psikiatra mendon se një fiksim i tillë tregon se jeta e njerëzve të tillë ka objektiv vetëm ushqimin dhe lihen pas dore aspekte të tjera të rëndësishme. Gjithashtu ky fiksim çon pashmangshmërisht në probleme me ushqyerjen.

Një studim i vitit 2012 nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut doli në përfundimin se postimi dhe shikimi i fotove me ushqime online stimulon trurin dhe bën njerëzit që të hanë më shumë duke krijuar probleme me mbipeshën.

Top Channel