Çfarë po ndodh me kreditë për blerjen e shtëpive

08/05/2013 17:25

Cmimet e apartamenteve gjatë vitit 2013 pritet që të ulen ndjeshëm. Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012, indeksi i çmimit të banesave ka pësuar një rënie mesatare vjetore prej 10%, ndërsa ai i qirasë ka rënë me 7.3%.

Trendi i uljes së çmimit pritet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti për shkak se kërkesa për të blerë shtëpi ka rënë. Në mënyrë të veçantë, Banka e lidh tendencën drejt uljes së çmimeve me koston e kreditimit për blerjen e banesave. Kredia ishte ajo që frenoi individët t’iu drejtoheshin agjencive imobiliare për të blerë pronat, pasi kushtet u shtrënguan për shkak të krizës.

Çmimet gjithnjë në rritje ishin një tjetër motiv pengues, kurse emigrantët, blerësit potencialë të pronave, nuk po kontribuonin më me anë të dërgesave. Tremujori i katërt i vitit 2012 shënoi rritje të tepricës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme me 1.61% ndaj një viti më parë. Kostoja relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të patundshme ka shënuar gjithashtu një rritje në tremujorin e fundit të vitit me 2.58 pikë përqindje në terma vjetorë.

Pavarësisht standardeve të shtrënguara të kreditimit nga ana e huadhënësve, sipas Bankës së Shqipërisë kredia për blerje pronash të patundshme ka pësuar përmirësim gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt në terma vjetorë dhe tremujorë. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të patundshme ndaj tepricës së kredisë për këtë qëllim është 12.88 për qind, krahasuar me 13.9 për qind në fund të muajit qershor 2012, gjë që tregon se njerëzit po shlyejnë kreditë e marra për blerje banesash.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit 2013 rezulton se kushtet e kredisë për individë për të blerë shtëpi janë lehtësuar disi. Faktorët që kanë ndikuar në këtë aspekt janë niveli aktual i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar si dhe vendimet favorizuese të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, kërkesa e individëve për kredi vlerësohet në rënie si për kreditë me qëllim blerje banese edhe për ato konsumatore.

“Harta” e çmimeve të banesave në Tiranë

Nëse planifikon të blesh një banesë në Tiranë duhet të mendohesh mirë. Cmimet që të ofrohen për blerjen e një apartamenti janë nga 400 deri në 2 mijë euro për metër katror.

Këto të dhëna ndryshojnë sipas vendodhjes dhe statusit ligjor të banesës. Nëse apartamenti është i pajisur me hipotekë, çmimi mund të rritet me 100 euro për metër katror.

Vendet ku mund të blesh më lirë janë zona e Freskut dhe ajo e Yzberishtit, ku një metër katror kushton 400 deri në 600 euro. Ndërkohë, sa më shumë i afrohesh Unazës së Vogël rritja e çmimit është e ndjeshme. Në Don Bosko çmimet variojnë nga 650-850 euro për metër katror. Me të njëjtin çmim mund të gjenden apartamente edhe në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.

Zonat e tjera, brenda Unazës, janë shumë të larta, ku çmimet variojnë nga 700-1500 euro metri/katror. Por, ka edhe mundësi me pallatet e vjetra, ku mund të gjenden apartamente edhe me 600 euro metri katror. Ndërkohë, zonat e ish-Bllokut, pranë Radio-Televizionit, stadiumi “Qemal Stafa” apo dhe te Liqeni pranë Gardës, konsiderohen më të nxehtat për shkak të çmimeve, të cilat janë 1800-2000 euro.

Një tjetër kapitull është cmimi i apartamenteve me qira në kryeqytet. Rritja e kërkesës për ambiente të tilla ka bërë që edhe çmimet te jenë të larta. Sipas të dhënave që ofrojnë agjencitë imobiliare, një apartament 2+1 në Tiranë mund të kushtojë nga 200 deri në 1600 euro në muaj. Ashtu si edhe për blerjen e banesave, zona e Freskut dhe Unaza e Re kanë çmimet më të lira, rreth 200 euro në muaj.

Ndërkohë, në zonën e Komunës së Parisit, 21 Dhjetorit, stacionit të trenit, apo në Rrugën e Dibrës çmimet variojnë nga 300 deri në 400 euro. Akoma më shtrenjtë kushtojnë apartamentet në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katsheve, Bulevardin Zogu i Parë, Rrugën e Durrësit e atë të Kavajës si dhe në “Myslym Shyri” ku për një muaj duhet të paguash nga 350 deri në 500 euro.

Zona e luksit konsiderohet ish-Blloku, zona pranë Radio Televizionit, Tirana e Re si dhe pranë stadiumeve “Qemal Stafa” e “Selman Stermasi”, ku një apartament kushton 500 deri në 1600 euro në muaj. Për ata që nuk janë të kënaqur me një apartement dhe kërkojnë vila, në Tiranë ofrohen disa mundësi. Blloku i vilave gjermane si dhe ai në Selitë kushtojnë 1500 deri në 3000 euro në muaj.

Top Channel