Shenjat e flirtimit janë të lehta për tu dalluar. Nëse jeni të vëmendshëm tek ajo që njihet me termin “gjuha e trupit”, mund të kuptoni nëse një vajzë apo djalë ju ka qejf.
Dy gjinitë kanë mënyra të ndryshme të afrimit dhe joshjes. Zakonisht është vajza ajo që jep sinjalin e parë të nisjes së lojës, ajo që zgjedh prenë dhe që vendos se si do të zhvillohet loja, por edhe meshkujt nuk mbeten prapa.
Së pari, ajo/ai ju buzëqesh. Kur një vajzë apo djalë ka interes për ju, buzëqeshja është një sinjal i fortë për të kuptuar shkallën e interesit. Vajzat që duken bukur zakonisht mundohen që t’i largojnë meshkujt që nuk i pëlqejnë, kështu që nëse ju buzëqesh, atëherë ajo dëshiron që ju të flisni me të.
Mbajtja gjatë e kontaktit me sy. Një nga shenjat e dukshme, kur dikush flirton me ju, është fakti se partneri shikon vazhdimisht në drejtimin tuaj dhe mban një kontakt të gjatë me sy. Nëse i mban sytë nga ju ndërsa flet, atëherë kjo do të thotë që ju pëlqen.
Mundohet të ketë vëmendjen tuaj. Nëse ai/ajo shikon nga ju, kjo do të thotë se po mundohet të tërheqë vëmendjen tuaj.
Afrimi. Kur ai/ajo afrohet dhe fillon të flasë, kjo do të thotë që dëshiron të dijë më shumë rreth teje. Pyetjet që bëhen për të kuptuar nëse jeni të lidhur me dikë, janë në një farë mënyre “përcaktim territori”.
Komplimentat kanë një rëndësi të veçantë. Një vajzë apo një djalë që është duke flirtuar do të shprehë drejtpërdrejt mendimin se ti je e këndshme, duke të bërë komplimente të sikletshme, por jo detyrimisht të bezdisshme. Nëse komplimenti pranohet, atëherë interesi duket qartë.
Mjafton të jemi të vëmendshëm tek këto shenja dhe mund të “lexojmë” interesin e tjetrit për flirtimin që sapo kemi nisur.
Si josh “Mister Albania 2012”
Nëse pranvera është sezoni i joshjes, vera pa dyshim që është sezoni i dashurisë. Kjo lojë nuk është edhe aq e thjeshtë sa duket. Është një “lojë” që ka shumë rreziqe dhe si të gjitha lojërat e tjera ka disa rregulla që duhen zbatuar.
Hapi i parë për të nisur një marrëdhënie sigurisht që është flirtimi. Nuk ka rëndësi se për çfarë po flitet, e rëndësishme është që tregohet interes dhe simpati për tjetrin gjatë “gjuajtjes”. Mund të quhet një art i vërtetë ku mendja është ajo që duhet të joshë. Por si sillet një mashkull tipik flirtues? Sa rëndësi merr gjuha e trupit? A është vetëm pamja gjithçka?
Geraldo është fituesi i “Mister Albania of the World” për vitin 2012. Ai i kushton rëndësi jo vetëm pamjes së jashmte, por edhe parfumit apo aksesorëve që zgjedh. Elemente këto që tërheqin vëmendjen e vajzave.
Djali shtatlartë edhe pse i ri në moshë, formulën e flirtit di ta përdorë shumë mirë: “Futesh në një ambient ku ka shumë vajza. Piketon të duhurën dhe e hedh një shikim. Nëse ajo të kthen shikimin i jep një buzëqeshje. Më pas i qeras me një pije dhe shikon se si reagojnë. Nëse shkon mirë, i merret numri i telefonit ose e-mail-i.”
Edhe pse nuk mund të thuash se ka një recetë të suksesshme, Geraldo përpiqet që në të gjitha takimet me vajzat, të kombinojë pamjen me lojën e mendjes: “Gjërat e vështira janë edhe më të bukurat. Varet pastaj edhe nga karakteri i vajzave.”
Të zhvillosh fantazinë që të gjesh në çdo rast një batutë, garanton padyshim vëmendjen dhe simpatinë e të gjithëve. Pushteti dhe arti i joshjesh ka të bëjë edhe me përdorimin e mirë të shqisave, gjë që për Geraldon gjithçka nis me një buzëqeshje.
“Ka shumë djem të aftë në joshje. Përdorin bukurinë, komunikimin ose sjelljen. E ke joshur një vajzë kur asaj i shndrijnë sytë”, shpjegon Geraldo.
Të jesh flirtues është çështje truri, thonë psikologët. Joshja si pjesë e personalitetit të njeriut, është aftësia për t’u bërë interesantë në sytë e të tjerëve. Mund të jemi tërheqës në çdo moment të ditës sonë: në punë, në shtëpi, kur rrime me miqtë.
Paçka të gjithave, asnjë manual nuk mund të quhet formulë suksesi, kështu që mund të jeni ju që të shpikni rregullin e ardhshëm.
Shkollat e joshjes
Arti i joshjes mund të mësohet në pak kohë edhe pse nuk mund të jesh flirtues i mirë. Në Itali janë legalizuar së fundmi shumë kurse teorike dhe praktike për të mësuar të joshësh.
Meshkujt dhe femrat të cilët kanë arritur një stad të caktuar ekonomik dhe arsimor shpesh kanë probleme me gjininë e kundërt. Për të bërë një “gjimnastikë” të instikteve, ata regjistrohen në kurse të tilla private me instruktor. Mjeshtri që është një profesionist joshjeje u mëson truket e profesionit studentëve të rinj. Praktika, sigurisht që zhvillohet jashtë klase. Prova konsiderohet e kaluar kur pasi një farë kohe leksionesh, arrin të “thyesh akullin” dhe të testosh njohuritë e marra.
Por, çfarë duhet bërë për të qenë pjesë e një kursi të tillë? Së pari duhet të plotësoni formularin me të dhënat personale për të ndihmuar mjeshtrin të kuptojë më shumë nga natyra juaj. Së dyti, të përcaktoni nivelin e kursit apo studimeve që doni të ndiqni. Fillestarët regjistrohen në kurse të shkurtra, kurse ata që duan të thellojnë studimet, në nivele “Master joshjeje”.
Efektet e para janë pozitive. Shumë persona pasi kanë vendosur të frekuentojnë këto kurse, pranojnë se jeta e tyre flirtuese është përmirësuar ndjeshëm, madje ndryshimi është me 360 gradë. Cdo kurs joshjeje sipas modulit, synon që studenti të marrë maksimumin e dijeve teorike dhe praktike. Përmirësimi i raporteve midis të dy gjinive është një objektiv tjetër duke shmangur kështu një numër gabimesh që bëhen nga mungesa e aftësive për të flirtuar hijshëm.
Top Channel