Testohet me sukses fluturimi hipersonik

06/05/2013 00:00

Në provën e katërt, fluturimi hipersonik pa pilot Boeing X-51 WaveRider kreu fluturimin e tij më të gjatë prej tre minutash e 30 sekonda me shpejtësinë 5.1 MaCh (Si Standard) e përkthyer në kilometra, rreth 5417 km në orë.

Sukses i provës së katërt konsiderohet fakti që u tejkalua “barriera” prej 5 MaCh, që përfaqëson ëndrrën e fluturimeve të së ardhmes.

Programi i testimit të këtyre fluturimeve është i pari i këtij lloji dhe është një projekt i Air Force Research Laboratory dhe agjencisë së ajrore të Pentagonit, DARPA. Ndërtimi i mjetit super të shpejtë i është besuar kompanisë Boeing.

Testimi i katërt ndodhi më 1 maj të këtij viti. Tre testimet e para të fluturimit hipersonik nuk kanë patur suksesin e duhur.  Testi i parë u krye në 26 maj të 2010-ës, arriti shpejtësinë 5 MaCh, por jo qëndrimin prej minimumi 300 sekonda në fluturim, ashtu sic ishte objektivi.

Më 13 qershor të 2011-ës ishte përcaktuar testimi i dytë, por që u shty për shkak të një avarie teknike në sistemin e qarkullimit të ajrit që përdorej nga motori “scramjet”. Më 14 gusht të vitit të kaluar u ndërmor testi i tretë, një dështim total. Një avari në sistemin kontrollues të mjetit bëri që ai të dalë jashtë kontrollit dhe u plas mbi Paqësor në mënyrë të pakontrolluar.

Grupi i shkencëtarëve amerikanë që po merren me këto teste thonë se ky hap është embrioni i fluturimeve të së ardhmes, që jo vetëm do të afrojnë kontinentet në Tokë, por do të sigurojnë edhe një qasje tjetër drejt eksplorimit të hapësirës.

Për momentin, thonë ata, teknologjia nuk ka maturinë e duhur për të përshtatur fluturime të tilla, të cilat fillimisht mund të përdoren, ndoshta pas 20 vitesh për qëllime ushtarake, e më vonë për qëllime civile.

Top Channel