Solar Impulse, avioni i parë që funksionon krejtësisht me energji diellore, kreu me sukses një udhëtim 18 orësh nga Kalifornia deri në Arizonë.

Feniksi ishte ndalesa e parë e fluturimit, që do ta çojë avionin, e drejtuar nga një pilot zvicerian, në të gjithë Shtetet e Bashkuara pa përdorur karburant, por vetëm energjinë nga rrezet e diellit.

“U deshën shumë përgatitje dhe një angazhim jashtëzakonisht i madh në pjesën e parë të fluturimit. Kemi kohë që punojmë për një gjë të tillë dhe nuk më besohet që pjesa e parë përfundoi”, tha Bertrand Piccard, pilot.

Aventurieri Piccard preku tokën rreth mesnatës, e kjo është dhe një tjetër e veçante e Solar Impulse; fakti që duke përdorur energjinë diellore mund të fluturojë si ditën, ashtu edhe natën.

Fluturimi nga veriu i Kalifornisë u krye me një shpejtësi mesatare prej 49 kilometrash në orë. Piccard dhe një pilot i dytë, Andre Borshberg planifikojnë t’i ndajnë detyrat duke bërë ndalesa të gjata në Feniks, Dallas, Seint Luis dhe Uashington, përpara uljes përfundimtare në Nju Jork, muajin e ardhshëm.

Avioni në fjalë ka krahët e një avioni pasagjerësh 747, por peshon sa një makinë mesatare. Ai mbledh energjinë e diellit dhe e ruan në një bateri, çka i mundëson edhe fluturimet gjatë natës.

Por, shpejtësia më e madhe që ai mund të arrijë, prej vetëm 70 kilometra në orë, i bën ndalesat të domosdoshme.

Top Channel