Palestina ekziston. Të paktën në Google. Motori i kërkimit ka ndryshuar
përcaktimin poshtë logos së faqes së tij në versionin lokal, duke
vendosur në vend të “Territoreve Palestineze” shkrimin “Palestinë”.

Një vendim ky që vjen pesë muaj pasi Pallati i Qelqtë njohu Autoritetin Palestinez si shtet, në cilësinë e vëzhguesit por jo anëtarit, në një votim që mori 138 vota pro, 9 kundër dhe 41 abstenim.

Veprimi i Google natyrisht që nuk është pritur mirë nga Izraeli. “Befasuese, por Google nuk është një ent politik apo diplomatik, prandaj mund të quajë këdo me emrin që dëshiron. Kjo nuk ka as domethënie diplomatike e as politike”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Yigal Palmor.

Ndryshimi është bërë më 1 maj, ka saktësuar ndërkohë Nathan Tyler, zëdhënës i Google, i cili ka mbrojtur vendimin e kompanisë.

“Kemi ndryshuar emrin “Territoret Palestineze” në “Palestinë” në të gjitha produktet tona. Për t’u dhënë emrin vendeve konsultohemi me një seri burimesh dhe autoritetesh. Në rastin konkret i jemi referuar OKB-së dhe disa organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Tyler.

Këshilltari i presidentit palestinez Mahmoud Abbas për internetin dhe telekomunikimin, Sabri Saidam, ka përshëndetur lëvizjen e Google, duke u shprehur se, “është një lëvizje që shkon në drejtimin e duhur dhe një rezultat pozitiv që vjen nga votimi në Kombet e Bashkuara”.

Top Channel