Në fshatin Sllupçan u përkujtua 12 vjetori i fillimit të konfliktit të armatosur në rajonin e Karadakut të Kumanovës, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Forcave Maqedonase të Sigurisë, që çoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë manifestim, për herë të parë mori pjesë edhe drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes në Maqedoni, që është shqiptar, Talat Xhaferi.
Ai ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Sllupçan dhe ka vizituar edhe muzeun e UÇK-së. Prezenca e Ministrit të Mbrotjes, sipas organizatorëve të këtij manifestimi, dëshmon se sa është avancuar pozita e shqiptarëve në Maqedoni.
”Gjithë ne që bartim funksione publike, sot e 12 vite pas 2001-shit, në çdo moment kemi mbi vete dhe në kokë këto bijë dhe bija të kombit, që për çdo moment na kujtojnë se në rrugën tonë duhet të përmbushim gjithçka në përpikmëri, që nga dita e pare e idealit të tyre, për të cilin ideal dhanë jetën”, deklaroi ministri Xhaferi.
Në këtë përvejtor që u shënua me një program të pasur artistik, morën pjesë ministra, deputetë të BDI-së, ish-luftëtarë nga Maqedonia dhe Kosova si dhe familjarë të dëshmorëve, por mungoi njeriu i parë i UÇK-së, Ali Ahmeti.
Më 2 maj të vitit 2001, UÇK e shpalli komunën e Likovës, të banuar me shqiptarë, zonë të lirë nga pushteti maqedonas.
Pas kësaj date, për tre muaj me radhë, ushtria dhe policia maqedonase përdorën gjithë potencialin e tyre kundër UÇK-së dhe banorëve shqiptarë, ku u vranë dhjetëra civilë e u shkatërruan tërësisht fshatrat e kësaj zone. Konfliktin e ndërpreu Marrëveshja e Ohrit, e cila ende nuk është zbatuar tërësisht.
Top Channel