Gjatë viteve ’70, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi të praktikohej kikboksi si disiplinë e re e arteve marciale.

Në dallim nga boksi klasik, kikboksi përfshinte përdorimin jo vetëm të duarve, por edhe të këmbëve duke qenë një sport i ndërmjetëm midis karatesë dhe boksit. Edhe pse shpeshherë është etiketuar si sport shumë i dhunshëm, tashmë është fakt që disiplina praktikohet në Shqipëri jo vetëm nga djemtë, por dhe nga vajzat.

Lira është një 18-vjeçare që studion në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Katër muaj më parë ajo vendosi të frekuentonte palestrën e kikboksit për të provuar diçka të re: “Pamja e jashtme të gënjen. Edhe pse mund të dukem e ëmbël, jam e egër nga brenda. Kikboksin e nisa për tu dobësuar dhe është mënyrë e mirë për të çliruar energjitë negative. Vij në palestër pas shkollës.”

Sportin e ka dashur që e vogël, por së fundmi ka zbuluar pasionin për kikboksin. Edhe pse konsiderohet si disiplinë e rëndë për vajzat, palestra është shndërruar për të në një shtëpi të dytë, ku shpenzon orë të tëra pa e kuptuar: “Ushtroj edhe të tjera arte marciale. E kam me qejf ta vazhdoj, por nuk i dihet të ardhmes. Ky sport është antistres.”

Juela është më e reja në kikboks. Një muaj më parë vajza vendosi të frekuentonte palestrën si një mënyrë për të mbajtur trupin në formë dhe për të shkarkuar energjitë negative: “Kikboksi më ka pëlqyer gjithmonë si sport. Më kanë dhënë shtysë edhe disa shoqe të miat. Jemi 12 vajza në këtë grup.”

Aktualisht në disiplinën e kikboksit janë të regjistruara 16 vajza. Të gjitha e kanë nisur me dëshirën e mirë për të mbajtur trupin në formë dhe për t’i shpëtuar rutinës së përditshme. Pjesa më e madhe kanë marrë informacione paraprake në internet, ndërsa më pas kanë vendosur të “guxojnë”. Askush nuk mund të thotë deri ku arrijnë ambiciet e tyre, por një gjë është e sigurt: sfida për kampionet e para shqiptare në botë mbetet e hapur…
 
Artet marciale

Artet marciale përfshijnë edhe tre disiplina të tjera të rëndësishme. Së pari, Taekwondo mund të quhet si sport modern ndërkombëtar me origjinë të lashtë koreane. Tipari kryesor i Taekwondo është luftimi i lirë dhe të gjitha lëvizjet bazohen në mbrojtje.

Në kohët e vjetra, njerëzit duke jetuar jetë të thjeshta nuk bënin fitnes fizik dhe trupat e tyre ishin të kërrusur në mosha të vjetra, gjë që krijoi mjedisin për zanafillën e Taekwondo-së. Parimi i personave që ushtrojnë këtë sport është se duke përdorur duart, grushtet, bërrylat, gjunjët, këmbët ose çdo pjesë tjetër të trupit, mund të mposhtet çdo kundërshtar.

Taekwondo nuk është vetëm art superior mbrojtjeje, por konsiderohet si një mënyrë për të shkarkuar stresin. Stërvitjet e para të Taekwondo-së mendohet se janë zhvilluar rreth shekullit të parë në gadishullin korean, 2000 vite më para, ndërsa praktikimi vazhdon edhe sot.

Krav Maga është disiplina më e rrezikshme e arteve marciale. Ajo është metoda e luftës pa armë më popullore në botë e ushtrisë izraelite. Për herë të parë, Krav Maga është praktikuar gjatë luftës për çlirimin e Izraelit, ndërsa sot ushtrohet nga njësitë speciale elitë në vende të ndryshme të botës. Elementet e boksit dhe xhudos janë të kombinuara më së miri në Krav Maga duke ndërthurur dy disiplinat. Teknikat që përdoren janë shumë efikase, jo vetëm për forcat ushtarake, por edhe për vetëmbrojtjen e njerëzve të thjeshtë.

E fundit por jo më e parëndësishmja është karateja. Katat janë përmbledhje e veçantë e lëvizjeve të përcaktuara me përpikmëri ku përfshihen goditja dhe pozicioni. Ndeshja mund të jetë e lirë dhe me marrëveshje (partnerët merren vesh për llojin e goditjes dhe të bllokimit, me të cilin do pengohet goditja). Kushtet e ndryshueshme diktojnë mënyrën, shpejtësinë dhe zgjedhjen e lëvizjes që të reagohet shpejt. Karakteristikë e karatesë është se kimonoja e bardhë është e detyrueshme për garuesit.

Top Channel