Këshilli Zgjedhor në Venezuelë ka ndryshuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale të 14 prillit, pas përfundimit të rinumërimit të votave të hedhura jashtë vendit.
Sipas tij, Nicolas Maduro ka fituar zgjedhjet me një diferencë prej 1,49%, ose prej më pak se 225 mijë votash. Shifrat e mëparshme tregonin një fitore me diferencë prej 1,8%.
Kandidati opozitar, Henrique Capriles, ka kërkuar një rinumërim të plotë, gjë që këshilli e ka refuzuar. Ndërkohë, mbështetësit dhe kundërshtarët e Maduro-s janë përplasur në parlament.
Një grup kongresmenësh opozitarë thanë se u sulmuan gjatë një seance plenare në Asamblenë Kombëtare, teksa njëri prej tyre, Julio Borges, u shfaq në televizion me dëmtime në fytyrë.
Kongresmeni tha se ata po protestonin kundër përpjekjeve për të bllokuar të drejtën e tyre për të folur, për sa kohë që nuk e njihnin Maduro-n si fitues. Përfaqësues të qeverisë thanë gjithashtu se ishin sulmuar.
Shifrat e publikuara nga Këshilli Kombëtar Elektoral (CNE), ditën e hënë, zbuluan se Capriles kishte fituar 93,13% të votave të hedhura nga jashtë vendit. Ndërkohë, kur janë numëruar 99,79% e votave, diferenca mes dy kandidatëve është ngushtuar në 1,49%.
CNE deklaroi presidentin Maduro si fitues më 15 prill, pasi ai kishte arritur atë, që ai vet e quajti si “mazhorancë të pakthyeshme”. Ai u betua më 19 prill. Capriles kërkoi një rinumërim votë për votë, por CNE tha se ishte e pamundur ligjërisht të ndodhte diçka e tillë.
Megjithatë, u pranua të zhvillohej një auditim i pjesshëm, që pritet të vazhdojë deri në qershor. Gjatë tij, rreth 56% e votave do të hetohen, pasi pjesa e mbetur prej 44%, sipas CNE, është hetuar menjëherë pas zgjedhjeve.
Të hënën, Capriles tha se Maduro kishte “vjedhur në mënyrë të paligjshme Presidencën”. Ai ka kohë deri në 6 maj për të paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Supreme, me anë të së cilës konteston rezultatin e zgjedhjeve. Capriles tha se nuk ka “asnjë dyshim, se kjo çështje do të përfundojë përpara ndërhyrjes së trupës ndërkombëtare”.
Top Channel