Bashkëbisedimi me rrjetin e studentëve ekselentë ishte ndër më interesantët, që kryeministri Berisha ka zhvilluar këto kohët e fundit, jo vetëm për prezantimin e tyre dinjitoz dhe të çlirët, por edhe për nga çështjet e ngritura.
Punësimi ishte njëri prej tyre dhe kryeministri Berisha, duke iu referuar raportit më të fundit të Komisionit Europian, që e rendit Shqipërinë si një nga tre vendet, që bashkë me Turqinë dhe Islandën nuk kanë rënë në krizë, citoi edhe pjesën që flet për pasojat e krizës europiane në Shqipëri.
“Përsëri ky raport, që e lexova sot, i Komisionit Europian deklaron që Shqipëria pati një ulje të lehtë të punësimit. E quaj këtë një arritje shumë të madhe, sepse vendet përreth kanë patur një rritje shumë të madhe të papunësisë”, tha Berisha.
Kryeministri beson se kjo situatë do të kapërcehet, sapo të nisin efektet e paketës fiskale, që heq TVSH-në mbi makineritë, merr përsipër pagesën e taksave për çdo të ri të punësuar deri në tre vjet, dhe një seri masash të tjera, që sipas kryeministrit synojnë thithjen e investimeve të huaja.
“Kjo krizë imponon të bësh gjithçka për të tërhequr investimet më të mëdha të mundshme. Kemi tërhequr 4 mld usd në kohën e krizës, kriza më e madhe. Shpresojmë që nga 4 të arrijmë në 6 miliardë, në 4 vitet që vijnë. Këto të gjitha janë vende pune”, shtoi Berisha.
Kryeministri Berisha ishte i bindur se zbatimi i kësaj skeme do t’i lejojë qeverisë të mbështesë me mikrokredi të rinjtë për vetëpunësimin e tyre, si dhe do të hapë rrugën për zbatimin e projektit, për futjen për herë të parë të skemës perëndimore, që financon me kredi studimet për të bërë më të lehtë ndjekjen e studimeve, edhe për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë menjëherë.
“4 vitet që vijnë do të vendosim kredinë e studentit. Është me garanci sovrane, domethënë e garanton qeveria”, shtoi kryeministri.
Kryeministri Berisha pohoi problematikën, ku sasia e universiteteve ka marrë nga cilësia e tyre. Por, ai beson se kjo është një fazë kalimtare.
“Universitetet private dhe shkollat e larta private, ose do të sigurojnë cilësinë, ose nuk kanë të ardhme”, deklaroi ai.
Qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 1 milion dollarësh, nëpërmjet të cilit financohen studimet e të rinjve të shkëlqyer. Kryeministri Berisha premtoi rritjen e këtij fondi, duke nxitur të rinjtë në garën e dijes.
“Kam kënaqësinë më të madhe, se ekselencat dominohen më gjerësisht nga vajzat”, përfundoi ai.
Top Channel