OKB, debate për Gjykatën e Hagës

11/04/2013 23:10

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç e përshkroi Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë si “inkuizicion të anshëm”, gjatë një debati në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që u bojkotua nga Shtetet e Bashkuara me pretendimin se deklaratat e kreut serb të shtetit ishin të papranueshme.

Në diskutimet e së mërkurës, mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare të krimeve të luftës, organizuar nga drejtuesi aktual i Asamblesë, Vuk Jeremiç, lidershipi serb përfitoi nga rasti për të sulmuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për të cilën pretendon se është pozicionuar hapur kundër serbëve.

Për Nikoliçin, GJNP-ja ishte e padrejtë për shkak të atmosferës sistematike të linçimit, që i bëhet çdo gjëje që është serbe, çka sipas tij, e bëri akoma më të vështirë pajtimin në Ballkan.

Por, mënyrës se si u ndërtua ky debat, i është kundërvënë ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, që shpreh rezerva të forta në lidhje me motivet e tij reale, të cilat sipas tij, kanë për qëllim veçimin e Gjykatës së Hagës për të denigruar punën, trashëgiminë e saj, e për t’i vënë politikisht në pikëpyetje vendimet e marra prej këtij organizmi.

Aspak për t’u çuditur, çfarë dëgjuam nga presidenti i Serbisë, i cili përsëriti shumëllojshmërinë e akuzave, së pari, kundër gjithçkaje që Gjykata ka bërë deri tani, e po ashtu, kundër pothuajse të gjithë jo serbëve në rajon, është e papranueshme dhe një dëshmi e natyrës së vërtetë të këtij aktiviteti, thuhet në deklaratën e tij.

Përpos kësaj, vështirë të gjesh tjetër aktivitet të ngjashëm të OKB-së, të organizuar në fshehtësi të tillë dhe me një mungesë totale të transparencës, vazhdon zoti Hoxha. Lista e të ftuarve, e panjohur për OKB-në deri në ditën e fundit, është absolutisht e diskutueshme, por për fat të keq, zëri i viktimave, ata për të cilët kërkohet të bëhet drejtësia, është përjashtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA