Gruaja e Mandelës: Është mirë!

05/04/2013 08:30

“Mandela ndihet gjithmonë e më mirë.” Kështu është shprehur bashkëshortja e ish-presidentit të Afrikës së Jugut, i shtruar në spital për pneumoni prej më shumë se një jave.

Graca Machel ka siguruar për gjendjen shëndetësore të 94-vjeçarit në një televizion afrikano-jugor.

Të mërkurën, burimet spitalore njoftuan se Nelson Mandela po bën përmirësime të vazhdueshme.

Familja e Mandelës ka mundur të vizitojë 94-vjeçarin në spital gjatë këtyre ditëve dhe ka qëndruar përkrah gjatë përmirësimit të vazhdueshëm shëndetësor.

Për mjekët, i rëndësishëm është fakti se trupi i të moshuarit po i përgjigjet mjekimeve shumë më mirë se sa në datën e shtrimit të tij, në 27 mars.

Ky është shtrimi i katërt i heroit të luftës kundër racizmit në Afrikën e Jugut në dy vjet.

Në dhjetor, Mandela qëndroi i shtruar për tre javë për t’u kuruar nga një infeksion në mushkëri dhe gurë në veshka, periudha më e gjatë si i shtruar që prej largimit nga burgu në vitin 1990.

Në shkurt, fituesi i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993, gjithashtu u kurua për shkak të një problemi në stomak.

Presidenti i parë pas fitimit të demokracisë, Mandela vuajti 27 vite burg, duke u shndërruar në një simbol të luftës për barazi shoqërore dhe demokraci.

Prej disa vitesh, presidenti i parë me ngjyrë në vendin ish-koloni britanike, Mandela është tërhequr nga jeta publike në Afrikën e Jugut, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA