Ndërsa mbeten më pak se 100 ditë nga zgjedhjet, asnjë nga aleancat politike nuk është ende e qartë, as koalicioni i partive opozitare, as koalicioni i mazhorancës, ku LSI ka dhënë sinjale që do të marrë një vendim të papërcaktuar ende.
Megjithatë, risia tjetër më e madhe, partitë e bllokut të qendrës, por a është ky pol i tretë një realitet? Pikërisht, për të diskutuar për këtë, nga studioja e re në “Top-Story”, e ndërtuar në një kohë rekord në ambientet e reja të “Top-Channel” në periferi të Tiranës, Sokol Balla ftoi në studio tre figura të rëndësishme të politikës shqiptare, anëtarin e kryesisë së PS, Ben Blushin, zëvendëskryetarin e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, gjithashtu zëvendëskryetarin Ylli Manjani.
Duke nisur debatin e tij mbi koalicionet e mëdha, zoti Blushi vlerësoi: “Koalicionet e mëdha, pothuajse janë vendosur. Edhe mazhoranca, ka në formacionet e veta një numër të madh partish, ne kemi shkuar 30 e ca, ndonëse ka parti jo shumë të njohura e të tjera ish-parlamentare. Por, pavarësisht kësaj, parti të vogla e të mesme, që ndajnë votat janë mbi 150 mijë, vota nga të cilat partitë e mëdha po përpiqen të sigurojnë sa më shumë. Kështu, partitë e mëdha dhe të vogla dihen, ngelen për të përcaktuar pozicionet e partive të mesme, si LSI, AK dhe FRD”.
Duke u përqendruar në koalicionin e Partisë Socialiste, Blushi vazhdoi: “Unë besoj se e majta, me PS-në në krye, do të ketë në 2-3 javët që vijnë koalicionin të ndërtuar. Në 2009-n, është fakt se një ndër arsyet që humbëm zgjedhjet ishte koalicioni jobollshëm, pasi me pak më shumë taktikë, LSI dhe disa parti mund të kishin ardhur me ne, ndaj taktikisht e djathta ishte më e organizuar, të paktën në pikëpamjen e koalicionit zgjedhor. Këto zgjedhje janë të tilla që çdo votë vlen, vetëm një kryetar partie, ka një parti që është në hije, por që në zonat e tyre mund të kenë për arsye lokale e njerëzore, 10 vota këtu e 200 atje, që bëjnë një masë e madhe që duhet thithur e gjitha, për shkak të sistemit. Ne shpresojmë që të ndërtojmë këtë koalicion të gjërë, mbi bazë projektesh dhe programesh. Siç e dini, ne kemi disa pika kryesore me papunësinë, sistemi shëndetësisë, taksat, rritjen e rolit të shtetit në shoqëri dhe partitë që do të na bashkohen do të gjejnë pika takimi në këtë gjë dhe ky do të jetë çëlësi i koalicionit që do të jetë i ndërtuar për shumë pak kohë”.
Lëvizja Socialiste për Integrim, është aktualisht një prej të panjohurave të mëdha për zgjedhjet e qershorit. Një element kryesor i qeverisjes, por me një kontratë me mazhorancën në skadim, e bazuar më shumë se në baza ideologjike, në ato pragmatiste, me bazë programore integrimin e vendit. Ndërkohë, LSI ka dhënë sinjale se ndoshta një vendim i prerë nuk është marrë. Është ngritur edhe miti i konventës së LSI-së, kur baza e partisë do të marrë një vendim. Nga ana tjetër, Rama ka deklaruar se e mirëpret një koalicion me LSI-në, me kusht që ajo të pranojë programin e “Rilindjes”.
Mbi këtë premisë në mendje, zëvendëskryetari Manjani nisi bisedën e tij në studio: “Së pari, një herë, pa diskutim që marrëveshja e 2009-s nuk ishte shumë pragamtiste, se sa e diktuar nga rezultati i zgjedhjeve, sepse sido të merrej rezultati, bashkimi PS-LSI nuk bënte qeveri dhe ky është fakt. Në shërbim të stabilitetit, në shërbim të mbylljes së disa projekteve në lidhje me integrimin, u bë ajo marrëveshje që funksionon edhe sot. Nga ana tjetër, kur afrohet dita e zgjedhjeve, çdo parti bën llogaritë e veta dhe nuk është e thënë që LSI është ftohtë këtej e ngrohtë andej. Ne vazhdojmë të kontribuojmë në qeverisje dhe në konfigurimin e aleancave, jam dakord me Blushin, që koalicionet ndërtohen mbi baza programore. Por, nuk kuptoj që në sistemin e sotëm zgjedhor, kam një përshtypje që nuk kemi ikur nga logjika e Dushkut, indonëse i shprehur në një formë tjetër”.
“Ne, në diskutimet tona me lidera të partive të tjera shpresojmë që ideologjia të ftohet, duke u zhveshur nga disa qëndrime që emocionet njerëzore na kanë diktuar si në njërën dhe në tjetrën palë, sepse në momente të caktuara, si PD, ashtu edhe PS nuk kanë lënë gjë pa thënë për LSI-në. Problemi është që në analizën politike nuk duhet të nisemi nga kriteri emocional. Nëse ndodh kjo, në Shqipëri nuk mjaftojnë kallashnikovët për të vrarë njëri tjetrin. Politika ka si mision të ecim përpara me projete zhvillimi, ndonëse ngjyrat kushtëzuese e vështirësojnë komunikiminm, pasi ngjyrart e partive varen edhe nga efektet programore, çështje të programeve dhe qasjeve me Shqipërinë e sotme dhe të ardhmes. Dikush mendon se duhet revolucion, ne themi na duhet korrektim, por në emër të marrëveshjes, mund të tolerohet gjetja e një termi të përbashkët. Rotacion? Këtë nuk mund ta përcaktojmë ne, por vetëm ata që do të votojnë”.
FRD ndodhet në një situatë, në të cilën ka refuzuar të gjithë koalicionet parazgjedhore me të dy blloqet e mëdha, me PS-në për çështje ideologjike dhe me PD-në, për shkak të drejtuesve të saj. Vetë zoti Topi, nga studio e “Top-Story” disa javë më parë, pranoi mundësinë e bashkëpunimit paszgjedhor me secilën palë, përfshi PD-në nëse largohet kryeministri Berisha. Megjithatë, së fundmi, ky grup po shihet gjithmonë e më shumë si nismëtar i një poli të tretë në politikën shqiptare”.
“Besimi se ka sinjale nuk është i saktë, pasi më shumë kanë ardhur nga komente mediatike dhe deri në momentin që flasim nuk ka pasur bisedime konkrete, por vetëm komente medatike për rolin e FRD-së në krijimin e mundshëm të këtij poli. Megjithatë, kolegët sqaruan fare qartë mënyrën se si duhen ndërtuar dhe mënyrën se si funksonojnë koalicionet. Sot për sot bëhet fjalë vetëm për bashkime numerike, ndonëse koalicionet duhet ndërtuar mbi baza ideologjike e programore. Nga ana tjetër, nëse pranohet programi, përse të mos shkrihen partitë? Koalicionet ndërtohen duke pranuar secili pikat kryesore të secilës palë. Është diskutuar për koalicionin e majtë më shumë, me një formulë matematikore, që në gjykimin tim nuk i ofron gjë qytetarëve”, deklaroi Oketa.
“Koalicioni aktual u ndërtua në 2009-n, absolutisht edhe unë kam qenë, nisur nga ai rezultat, parimisht dakord, duke pasur parasysh edhe objektivin, qeverinë e integrimit. Sot ndodhemi në vitin e katërt, në muajt e fundit të këtij mandati dhe objektivi kryesor i mazhorancës nuk është realizuar, ndonëse në kushtetutë shkruhet që vendi mund të kalojë në zgjedhje të parakoshme, këtu kjo shihet si një tabu. Për të ardhur tek qëndrimi i FRD-së, është deklaruar që ndoshta varianti më i mundshëm është të shkojmë të vetëm në zgjedhje, por si një forcë e re e qendrës së djathtë, që kërkon të japë një kontribut, nuk i shohim koalicionet si tabu. Ato duhet të ndërtohet dhe të bazohen në principe morale, në kushte e pika programore që për ne janë të panegociueshme”.
Për deputetin socialist, Ben Blushi afrimi në koalicionin e majtë i Frymës së Re Demokratike është i pamundur për shkak se kjo forcë politike është e qendrës së djathtë dhe se nuk dëshiron të denatyrohet. Zoti Blushi tha se FRD është më afër një koalicioni me Partinë Demokratike se sa me Partinë Socialiste. “Sic janë gjasat deri më tani, shtoi Blushi, PS nuk do të ketë koalicion as me LSI-në dhe as me FRD-në”.
Nënkryetari FRD-së, Gazmend Oketa ritheksoi edhe njëherë qendrimin e forcës politike që përfaqëson se sa përqasja e FRD-së në koalicione është cështje parimore që lidhet më së shumti jo me largimin e Berishës, por me ndryshimin e gjithë sistemit. “Ka një dallim mes përqasjes që ka FRD përsa i takon koalicioneve dhe mënyrës se si duhet të zgjidhet ky ngërc në politikën shqiptare. FRD thotë se sistemi politik në Shqipëri ka nevojë për ndryshime thelbësore pavarësisht ftesës që thotë PS, hajde të rrëzojmë Berishën ka shumë arsye që pengojnë. E para ne jemi parti e djathtë, misioni ynë është reformimi i politikës shqiptare. Ne besojmë se ka nevojë ndryshimi i sistemit. Forcat e mëdha këtej bëjnë thirrje për koalicion këtej hartojnë kode për të forcuar pushtetin e tyre në kurriz të partive të vogla. Qasja jonë është ndryshimi i këtij sistemi. Shtyllat tona të para janë vendosja e këtyre balancave. Nuk besojmë se zgjidhja vjen duke hequr një person e duke e zëvendësuar atë. Filozofia jonë e ndryshimit synon reformimin e sistemit. Nëse do gjejmë gjurmë me forcat politike pas 23 qershorit, atëherë FRD do të jetë e gatshme të bashkëpunojë”, deklaroi zoti Oketa.
Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani tha se përcaktimi i pozicionit të një force politike në zgjedhje kërkon të dëshmohet pjekuri e të matet mirë realiteti elektoral. “Këto janë momente që duhet të dëshmohet pjekuri e të masësh mirë realitetin. Të gjitha diskutimet brenda LSI-së ekzistojnë ku gjithkush ka idenë e caktuar për të kontribuar në idenë e madhe që do të merret nga forumet”, tha Manjani.
Lidhur me dilemën e LSI-së për të hyrë në koalicion me PS-së para zgjedhjeve, foli deputeti socialist Ben Blushi. Duke rikujtuar 2009, zoti Blushi tha se me të drejtë forcat politike, sidomos ato tradicionale aleate me PS, ngrenë pikëpyetjet sepse nga rezultati i zgjedhjeve varet fati i partive të vogla. Ato që janë në opozitë me këtë kod zgjedhor, tha Blushi, e kanë shumë të vështirë, ndërsa ato që janë në qeveri, është disi më e lehtë për të ecur me hapin e kohës.
Deputeti socialist u shpreh kundër propozimit për të futur në listat e PS-së kryetarët e partive në koalicionin opozitës dhe shtoi se fryma në Shqipëri është opozitare dhe se mbetet për t’u përcaktuar nga votuesit ndarja e saj. “PS është kundër vendosjes së emrit të kryetarëve të partive në listat e PS sepse të jesh kryetar i një partie e të jesh në listën e një partie tjetër, është pak absurde. Por kjo është një problematikë që besoj do të zgjidhet shpejt. Ajo që dua të them është se dryma në Shqipëri është opozitare. Populli në masë është opozitar dhe kjo ka bërë shumë parti që janë në qeveri sot të kenë dilemat që kanë sot. LSI nëse do të ishte e bindur se PD do fitojë zgjedhjet, atëherë nuk do të kishte këto dilema”, tha Blushi.
Prej javësh tashmë po flitet për të ashtuquajturin “Pol të Tretë”. Dera është lënë e hapur nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ai i FRD-së Bamir Topi. Por sa i realizueshëm është ky projekt para zgjedhjeve të 23 qershorit?
Përfaqësuesi i FRD-së, Gazmend Oketa renditi disa nga arsyet që detyrojnë partitë e vogla dhe ato të reja të bashkëpunojnë apo të futen në koalicione, ndër kryesoret edhe ruajtja e votës. “Ruajtja e votës është arsyeja që partitë e vogla afrohen drejt koalicioneve dhe kjo është gjëja më fatkeqe dhe më e cuditshme në një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron të hyjë në BE. Opsioni më i mundshëm për FRD është hyrja e vetme në zgjedhje për të matur peshën e saj, pavarësisht vështirësive që ne i dimë, si kodi. Megjithatë koalicionet nuk janë tabu nëse janë të ndërtuara mbi principe morale”, tha Oketa.
Deputeti socialist, Blushi deklaroi se rreziku më i madh që u vjen partive të vogla, e sidomos FRD-së si një parti që ka dalë nga PD, është vetëm Partia Demokratike. “Rreziku i partive të vogla sidomos i FRD që lindi nga PD, vjen më shumë nga PD, sepse këto dy parti konkurojnë për të njëjtin grup votash. Rreziku FRD-së i vjen nga PD. Sot 4-5 parti numërojnë votat e partive me të cilat konkurojnë, kjo është një anomali, pavarësisht se mua që jam pjesë e një partie të madhe me intereson kjo”, tha Blushi.
Edhe nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani e quajti handikap të Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, që nuk u mundëson të gjitha partive të mbrojnë votat e tyre.
LSI është në një pozicion komod dhe me të d rejtë ka dilemat e saj, por sa do të presë Partia Socialiste pavendosmërinë e LSI-së? Për zotin Blushi LSI nuk dëmton opozitën. “Kemi njerëzit tanë, strukturat tona që punojnë dhe nuk mendojnë që do të vijë apo jo LSI. Ne jemi partia më autonome në Shqipëri, më autonomë se PD që pa LSI-në nuk do ishte në qeveri. Ne kemi ecur në trajektoren tonë me programin që u kemi prezantuar shqiptarëve dhe kandidatëve. Një numër shumë i madh i kandidatëve socialistë janë në territoret e tyre pavarësisht nga koalicionet”, tha Blushi.
Pyetjes nëse Partia Socialiste është në gjendje të fitojë e vetme zgjedhjet, deputeti Blushi iu përgjigj: “Unë do të doja që po, por sistemi politik sot nuk është që të fitosh zgjedhjet pa asnjë parti aleate. Me këtë koalicion që kemi sot kemi aftësinë dhe mundësinë për të fituar zgjedhjet dhe për të qeverisur me 71 mandate e lart, nisur nga përllogaritjet elektorale, kriza ekonomike, ndryshimi i qeverisë. Sa për sondazhet e anketat s’mund të merren votat e 2009 e të sillen në 2013 sikur s’ka ndodhur gjë. Kanë ndodhur shumë gjëra, kriza ekonomike, rritja e varfërisë. Nuk dimë sa mandate merr LSI apo FRD, por një gjë e dimë, që Sali Berisha nuk do të jetë më kryeministër pas 23 qershorit”, deklaroi Blushi.
Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani tha se më e rëndësishme se sa koalicionet apo se kush do të luajë rolin e “King Maker”, është e rëndësishem të gjenden hapësirat për të bërë gjërat e arsyeshme për të lëvizur më shpejt drejt integrimit europian. Ekstremitetet janë të dëmshme, tha ai.
Deputeti Oketa shprehu bindjen se forca që ai përfaqëson, FRD do të jetë përcaktuese dhe vendimmarrëse në Kuvend e qeveri pas zgjedhjeve të 23 qershorit. “Ajo që është thuajse e sigurt është se shqiptarët do të vendosin se cilat do të jenë forcat politike që do të kenë mundësi të rikonfigurojnë skenën politike. Një gjë na konfirmon pas aktivitetit gati 1-vjecar, që pas 23 qershorit, FRD do të jetë një forcë vendimmarrëse. 23 qershori do shënojë rotacion politik. 22 vite në politikë për këdo janë shumë për të dhënë gjithcka që mund të japë e aq më tepër kryeministrit Berisha. Është momenti për t’i dhënë hapësira forcave të reja dhe vetë brenda atij grupimi politik ka nevojë për reformim. Me votën e qytetarëve besojmë se do jemi faktor përcaktues në Kuvend e qeverisje, asnjëra nga forcat politike nuk do të mundë të formojë e vetme, apo asnjë nga koalicioent nuk do të ketë të lehtë për të formuar 71 mandate në Kuvend”, tha Oketa.
Top Channel