Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar të mërkurën takime të ndara ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe ambasadorët e vendeve të BE, të akredituar në Prishtinë.

Sipas raportimeve të “REL”, temë kryesore e takimeve ishte dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryeministri Thaçi, në të dyja takimet, ka njoftuar ambasadorët për takimin e shtatë me kryeministrin e Serbisë, të zhvilluar në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Sipas njoftimit për media, Thaçi ka thënë se takimi është përcjellë me gatishmërinë për të lëvizur përpara dhe ka shtuar se megjithëse është shënuar progres, ende nuk është arritur marrëveshja.

“Me theks të veçantë, në takimin në Bruksel, është biseduar për integrimin e plotë të pjesës veriore në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata të Bashkimit Evropian thuhet se kanë vlerësuar ”përkushtimin e qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

“Integrimi i pjesës veriore të Kosovës do të bëhet duke respektuar në plotësi Kushtetutën, ligjet dhe integritetin e sovranitetin territorial të Kosovës”, citon komunikata ambasadorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA