Partia e komedianit Beppe Grillo, “Cinque Stelle”, kërkoi mandatin për formimin e një qeverie nga ana e presidentit Giorgio Napolitano, gjatë një takimi të shumëpritur mes kreut të shtetit dhe drejtuesve politikë në vend.
Partia e Grillos u rendit e para për votat e marra, duke thyer çdo pritshmëri me grumbullimin e 25% të votave.
Lëvizja që kundërshton politikën e deritanishme dhe kërkon një ndryshim rrënjësor të klasës politike, “CS” konkurroi e vetme në zgjedhje, duke u mundur vetëm nga dy koalicionet e udhëhequr nga Bersani dhe Berlusoni, që deri tani nuk kanë arritur të formojnë një qeveri.
Më parë, Grillo ka thënë se mund të bashkëpunojë në një koalicion qeverisës vetëm nëse do të bëhet kryeministër.
Takimet e dy ditëve të fundit me liderat politikë me Napolitanon, deri më sot nuk kanë arritur të formojnë një marrëveshje, që do t’i jepte fund katër javëve pa qeverisje, që prej zgjedhjeve të shkurtit.
Bisedimet e deritanishme janë vështirësuar nga fakti se të tre blloqet kryesore politike, refuzojnë të formojnë aleanca midis tyre, ndërsa asnjë aleancë tjetër, e një prej këtyre tre koalicioneve me një parti të katërt nuk do të garantonte shumicën në parlament.
Analistët janë shprehur skeptikë për këto takime, duke paralajmëruar se Napolitano, me rolin e tij më shumë ceremonial në krye të shtetit, do ta ketë të vështirë të zgjidhë ngërçin, pavarësisht autoritetit të padiskutueshëm që gëzon në politikë.
Ngërçi politik në Itali ka ndikuar negativisht në krizën ekonomike, të ekonomisë së tretë më të madhe në Eurozonë, ndërsa zërat për zgjedhje të reja të parakohshme po shtohen gjithmonë e më shumë.
Aktualisht, Italia është duke u përballur me rënien ekonomike më të gjatë në 20 vjet, që ka shkaktuar rënien e indekstit të kreditit në vlerësimin e rrezikshëm BBB+.
Gjithashtu, Italia përballet me një borxh kombëtar kolosal, i cili kap vlerën e 2,6 trilion dollarëve (120% e PBB-së).
Top Channel