Dega e Al-Qaeda-s në Afrikën Veriore ka bërë të ditur se ka vrarë biznesmenin francez të marrë peng në Mali gjatë vitit 2011, sipas raporteve të agjencisë së lajmeve ANI nga Mauritania.
Grupi islamik Maghreb i Al-Qaeda-s tha për ANI se ka vrarë Philippe Verdon më 10 mars, si shenjë hakmarrjeje për ndërhyrjen ushtarake të Francës në Mali.
Verdon dhe një tjetër francez u kapën robër në qytetin Hombori. Trupat francezë zbarkuan në Mali gjatë muajit janar, pasi militantë të lidhur me al-Qaeda-n kërcënuan se do të marshonin drejt kryeqytetit malian.
Gjatë javëve të fundit, forcat ushtarake të udhëhequra nga francezët kanë luftuar kundër militantëve në malet Ifoghas, në veri të Malit.
Më herët gjatë këtij muaji, ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, tha se një bazë e al-Qaeda-s është shpërbërë në zonën në fjalë. Ndërsa gjatë orëve të para të së mërkurës, ministri i Jashtëm francez tha se po përpiqet të verifikojë raportimet e ANI.
Philippe Verdon dhe Serge Lazarevic mendohet të kenë qenë në një udhëtim biznesi, kur u rrëmbyen në hotelin e tyre në nëntor të 2011-s. Islamikët Maghreb deklaroi se e kishin kryer ata pengmarrjen, duke publikuar edhe foto të dy francezëve.
Veç Verdon-it, rreth 14 francezë janë aktualisht pengje të grupeve islamike në Afrikë. Franca ka aktualisht 4000 trupa në Mali. Ajo ndërhyri, pasi një koalicion islamik dhe rebelësh separatistë, të cilët kishin pushtuar veriun e vendit gjatë vitit të kaluar, kërcënuan se do të hynin në kryeqytetin Bamako.
Top Channel