Të gjithë atyre njerëzve që këto ditë iu ka rënë rruga të kalojnë në Elbasan kanë arritur të nuhasin aromën e këndshme të bollokumeve.

Është 14 Mars, dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të vjetër e çdo derë në Elbasan ka pritur miq nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë edhe familja Myhyrdari na ka hapur portën e na ka mikpritur ashtu siç e kanë traditë elbasanasit. Lavdia, nëna e famijes, ka vendosur të na tregojë recetën dhe sekretet e bollokumes, ashtu siç është trashëguar brez pas brezi ndër shekuj.

“Marrim 1 kg sheqer, një gjysmë kilogrami gjalpë dhe i rrahim një gjysmë ore deri sa të bëhet si krem. Më pas, vazhdojmë duke e rrahur dhe i fusim nga një kokërr vezë çdo 5 minuta deri sa t’i kemi hedhur 7 kokrra vezë. Më tej, marrim 900 gramë miell të situr, e hedhim tek përzierja dhe vazhdojmë ta rrahim. Pasi e kemi bërë brumin, formojmë kokrrat dhe i vëmë në tepsi. 10 minuta para se t’i fusim në furrë, e nxejmë paraprakisht. Pjekja do 30 minuta.”

Ka qenë ende e re kur ka përgatitur bollokumet e para dhe nuk do ta humbë në asnjë mënyrë traditën që ia kanë mësuar shumë e shumë vite më parë: “Bollokumet i kam mësuar tek shtëpia e burrit. Vjehrra ishte specialiste dhe më mësoi edhe mua.”

Sot është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur ende nuk kishte lindur krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër. Dimri i ftohtë i linte radhën stinës së luleve.

Organizimi i kësaj feste dikur shoqërohej edhe me të tjera rite e lojra fëmijësh: “Dita e verës pritej me dëshirë sepse ikte dimri i ftohtë. Conim dhurata tek të afërmit dhe ia kalonim bukur.”

Kaluam disa orë në shoqërinë e nënë Lavdies, por erdhi koha të largohemi nga epiqendra e festës së luleve. Tashmë duhet ta keni vënë veroren dhe të gjithë jemi në pritje të dallëndyshes bishtgërshërë. Por mos harroni vargjet:

Dallëndyshe bishtgërshërë
Merre veroren time çoje në
Det e më sill bukë e shëndet

Top Channel