Kina, apel dy Koreve: Vetpërmbahuni

08/03/2013 15:30

Disa orë pasi Korea e Veriut shpalli anullimin e njëanshëm të armëpushimit që vendosi gjendjen e paqes me fqinjët jugorë në vitin 1953, Kina bëri thirrje për vetpërmbajtje dhe rikthimin në tryezën e bisedimeve.

Pekini, aleati i vetëm i madh i regjimit të diktatorit Kim Jong un, theksoi se të dyja palët duhet të vazhdojnë bisedimet, në mënyrë që të shmanget rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Peniani anulloi armëpushimin dhe kërcënoi Seulin me një sulm bërthamor, pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara, me propozim të SHBA-së, thelloi sanksione mbi shtetin komunist, pas një testimi të paautorizuar bërthamor në muajin shkurt dhe dërgimit të një sateliti në hapësirë nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi në dhjetor 2012.

Sanksionet e reja të OKB-së kufizuan importin e mallrave të luksit nga Peniani dhe pezulluan aktivitetet e tij bankare.

Pekini furnizon Korenë e Veriut me karburant, ndihma ushqimore dhe me mbështetje diplomatike, por ka mbështetur së fundmi tonet e ashpra të OKB-së, në vazhdën e provës bërthamore.

Koretë, Veriu i jep fund “paqes” me Jugun

Korea e Veriut ka bërë të ditur se i jep fund pakteve kundër agresionit me Korenë e Jugut, duke mbyllur linjën telefonike me Seulin dhe të gjitha pikëkalimet mes dy shteteve.

Lajmërimi vjen pas raundit të fundit të vendosjes së sanksioneve nga OKB kundër Penianit, në lidhje me programin e tyre të debatueshëm bërthamor.

Rezoluta e OKB ishte në përgjigje të testit bërthamor të Koresë së Veriut muajin e kaluar. Më herët, Peniani u zotua të përdorë të drejtën e saj për lëshimin me qëllim parandalues bërthamor ndaj “agresorëve” të tij.

Njoftimi i fundit, i dhënë nga agjencia e lajmeve shtetërore e Koresë së Veriut, bënte të ditur se Veriu i jepte fund pakteve kundër agresionit me Jugun, duke mbyllur gjithashtu pikën kryesore kufitare në Panmunjom, brenda zonës së demilitarizuar.

Aty njoftohej për Jugun, gjithashtu, se po ndërpritej në mënyrë “të menjëhershme” linja telefonike Veri-Jug.

Lideri koreano-verior, Kim Jong-un, raportohet të ketë vizituar njësitë ushtarake të vijës së parë, të cilat u përfshinë në bombardimet e 2010-s, në një ishull koreano-jugor.

Thuhet se ai i ka urdhëruar ushtarët të qëndrojnë në gadishmëri për “të asgjësuar armikun” në çdo moment, duke rikonfirmuar më tej të ashtuquajturat “objektiva armiqësore”, në 5 ishuj të Detit Perëndimor.

Më herët, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, miratoi unanimisht rezolutën 2094, e cila impononte paketën e katërt të sanksioneve kundër Veriut. Rezoluta kishte për objektiv diplomatët koreano-veriorë, transfertat e parave dhe aksesin ndaj të mirave të luksit.

Duke folur pas votimit, ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tha se dokumenti “dënon rëndë” veprimet e Penianit. Ajo shtoi se sanksionet do të “shtrëngojnë më tej” aftësinë e Koresë së Veriut për të zhvilluar programin e saj bërthamor. Rice paralajmëroi se OKB mund “të marrë të tjera veprime të rëndësishme”, nëse Peniani do të mbante të tjera teste bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA